Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, ka ngritur shqetësimin për një plan të mundshëm për krijimin e një “shteti Bektashi” në Shqipëri, një ide që sipas tij ka nisur të qarkullojë qysh në vitin 2017 dhe që sot po merr formë konkrete.

Në një intervistë në A2 CNN, Gurra tha se ka pasur një kërkesë zyrtare nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve drejtuar ish-kryeparlamentarit Ilir Meta për këtë çështje.


Ai u shpreh i habitur që kjo iniciativë po ringjallet pas gati një dekade heshtjeje.

“Përse pikërisht tani? Kjo nuk ka filluar as dje, as parvjet. Minimumi nga viti 2017. Ka pasur kërkesë zyrtare nga Kryegjyshata drejtuar zotit Meta për të hedhur një hap të tillë. Atëherë nuk u bë për arsye politike, por sot ka dalë sërish në sipërfaqe”, deklaroi Gurra.

Ai theksoi se kjo nuk është një iniciativë që lind nga brenda Shqipërisë, duke hedhur dyshime të forta se pas kësaj ideje qëndron shteti i Izraelit.

Si argument për këtë, Gurra përmendi vizitën e Presidentit izraelit Isaac Herzog në Shqipëri në shtator të vitit 2024, gjatë së cilës, sipas tij, pati një takim të mbyllur me kryegjyshin Baba Mondi dhe drejtues të Kryegjyshatës.

“Nuk ka qenë ide e Shqipërisë. Vitin e kaluar, me vizitën e Presidentit Herzog, kjo ide u lançua si fakt i kryer. Ishte një lëvizje e koordinuar që nuk përfshiu qeverinë, por vetëm Kryegjyshatën. Edhe deklarata e zotit Rama në shtator 2024 e përforcoi këtë drejtim”, shtoi Gurra.

Ish-myftiu nuk kurseu kritika edhe për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, të cilin e akuzoi se në mënyrë të tërthortë ka kontribuar në përgatitjen e terrenit për realizimin e kësaj ideje.

“Komuniteti Mysliman, ndoshta edhe pa vetëdije, ka shtruar shtratin për këtë projekt. Ata që kanë mbetur atje, kanë ndihmuar në mënyrë të tërthortë për t’i dhënë hov një nisme që nuk i shërben unitetit fetar të vendit”, tha Gurra.

Deklaratat e Gurrës kanë hapur një debat të ri mbi marrëdhëniet ndërfetare dhe ndikimin e jashtëm në organizimin fetar në Shqipëri, në një kohë kur vendi përpiqet të ruajë balancën e trashëguar të bashkëjetesës fetare.