Iseni: Nga 1 shkurti do të fillojë zbatimi i "Safe City", BDI doli kundër sigurisë së qytetarëve

Zv. ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni njofton se nga 1 shkurti fillon zbatimi i Ligjit për Kundërvajtje apo siç njihet zbatimi i projektit "Safe City".
Iseni thotë se "Safe City" ka përqëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve në trafik.
“Safe City” nuk janë kamerat. Është jetë e shpëtuar. Është fundi i kaosit në rrugë dhe i papërgjegjshmërisë që ka marrë jetë njerëzish", shkruan Iseni në profilin e tij në Facebook.
Ai poashtu ka akuzuar BDI-në se zgjodhi të dalë kundër sigurisë së qytetarëve.
"Nga premtime për mbështetje, kaluan në sabotim të ligjit jetik, vetëm për pazare të ulëta politike.Sot u pa qartë: Siguria publike për ta vlen më pak se interesat partiake. Kjo tregon edhe diçka tjetër, Ali Ahmeti nuk e kontrollon as grupin e vet të deputetëve, e jo më shtetin.
VLEN nuk tërhiqet dhe nuk frikësohet. “Safe City” do të zbatohet, me ose pa BDI-në. Ne jemi në anën e qytetarëve, jo të pazareve. Kush është kundër sigurisë, është kundër njerëzve", shkruan Iseni./Telegrafi/





















































