eksperti ad

Punimet për sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” në Drenas po i afrohen përfundimit, ndërsa qytetarët kërkojnë që, krahas infrastrukturës, t’i kushtohet më shumë rëndësi gjelbërimit.

Qytetarët e Drenasit e mirëpresin këtë rregullim të sheshit, ndërsa kërkojnë që të ketë edhe hapësira të reja gjelbërimi.


Naser Krasniqi ka thënë se duhet me pas më shumë hapësira gjelbëruese.

“Normal se duhet të ketë më shumë hapësirë gjelbëruese, duhet të planifikohet me kohë se po bëhen ndërtimet të egra të pa planifikuara mirë dhe gjelbërimet po mbesin të dorës së dytë a të tretë, do të thotë nuk kemi kujdes të mjaftueshëm”, ka thënë Hamit Ibishaj.

Ata po ashtu thonë se edhe pse duhet kohë për të gjelbëruar qytetin, ky shesh duhet të ketë mirëmbajtje të tyre, të bëhet mbjellja e drunjve, dhe të ketë sa më pak beton.

“Ka nevojë, por, punët shkojnë dal nga dale, as komuna s’mund ti kryej punët shpejt, se s’kanë buxhet sa duhet për investime pa ndihmën e shtetit”, ka thënë Selman Hoti.

“Për park e ka bërë të mirë, e i madh e për gjelbërim dhe për drunj nuk po bëjnë asgjë. Këtu është dashur të ketë më shumë drunj, janë mbjellë do por nuk e di a mbijnë a jo.. këtu më shumë është shtru kubëza, këndej dielli me të pjekë”, ka thënë Ramë Ramaj.

Nga ana tjetër, nënkryetari I kësaj komune, Arben Shala, thotë se është duke u punuar në këtë drejtim, por nevojiten fonde dhe ndihmë nga niveli qendror.

“Dihet që sheshi Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, është në proces të përfundimit dhe aty ka sigurisht një hapësirë gjelbërimi dhe pasi të përfundojë në tërësi, do të shtrohet gjelbërimi edhe në hapësirat tjera, normalisht se pjesë e qytetit është Drenasi 2 ku është Ferronikeli që është paraparë një shirit i gjelbër, por, duke qenë që ai nuk është duke punuar, normalisht se në mungesë të fondeve gjërat nuk kanë ecur përpara”, ka thënë Arben Shala, nënkryetar i komunës së Drenasit.

Shala shton se përveç rregullimit te sheshit dhe hapësirave të gjelbra në të, aktualisht janë duke u bërë edhe disa miniparqe të cilat do të gjelbërohen gjatë kryerjes së punimeve në këtë shesh.

“Përveç miniparqeve që përmenda, sigurisht se do të kujdesemi që hapësirat ose oborret e objekteve shëndetësore, shkollave ta përmirësojmë gjelbërimin dhe ti rrisim hapësirat duke i dekoruar sa më shumë që është e mundur”, ka shtuar Shala.

Komuna e Drenasit, me mjetet dhe mundësitë e saja, do të mundohet të bëjë rregullime të tjera gjelbërimi dhe ndërtim të infrastrukturës rrugore në parqet tjera që do të ndikojnë në zhvillimin e turizmit./RTK