Kyrylo Khomiakov, drejtues i lartë i platformës globale të kriptomonedhave, Binance, qëndroi për herë të parë në Kosovë me rastin e konferencës “Block Talk Prishtina”, e cila po zhvillohet me pjesëmarrjen e mijëra entuziastëve dhe profesionistëve të fushës.

Në një intervistë të dhënë për telegrafin, Kyrylo Khomiakov shprehu entuziazëm të madh për interesimin që po tregon Kosova ndaj teknologjisë blockchain dhe përdorimit të kriptomonedhave.


“Edhe pse Kosova është një vend i vogël për nga madhësia e popullsisë, interesi për kripto dhe ritmi i adoptimit janë të jashtëzakonshëm. Jemi këtu për të edukuar përdoruesit rreth risive nga Binance dhe për të dëgjuar nga afër nevojat e komunitetit lokal,” u shpreh Khomiakov, duke theksuar se mbi 4,000 persona janë regjistruar për të marrë pjesë në konferencë.

Sipas tij, Kosova ka disa përparësi strategjike që mund ta pozicionojnë si një qendër të rëndësishme për industrinë e kriptos në rajon: “Popullata e re, njohuritë në teknologji dhe një komunitet miqësor ndaj kriptos janë faktorë kyç për suksesin. Nëse ka mbështetje të qartë nga qeveria në të gjitha nivelet, Kosova mund të shndërrohet në një lider rajonal në fushën e blockchain.”

Khomiakov përmendi gjithashtu zhvillimet pozitive që tashmë po ndodhin në vend, si mundësia për të paguar me kripto në disa sallone makinash apo për të blerë prona.

Në kuadër të angazhimeve të Binance në rajon, ai paralajmëroi edhe projekte edukative si Crypto School, një platformë online që synon të rrisë njohuritë rreth kriptos dhe sigurisë financiare në mesin e të rinjve.

“E ardhmja e industrisë është në duart e të rinjve. Ne po shohim një kërkesë në rritje për talente në Web3 dhe zhvillues blockchain. Kosova i ka të gjitha parakushtet që t’i nxisë këto talente të rriten këtu,” tha ai, duke inkurajuar të rinjtë që të shohin industrinë e kriptos si një mundësi reale për karrierë.

Për më shumë, ndiqni intervistën