LAJMI I FUNDIT:

Inteligjenca Artificiale në rritje mes bizneseve evropiane: Si po e përdorin atë?

Inteligjenca Artificiale në rritje mes bizneseve evropiane: Si po e përdorin atë?

Ndërmarrjet e mëdha po adoptojnë Inteligjencën Artificiale më shumë se ato të vogla dhe të mesme, me dallime të konsiderueshme në mënyrën se si secila prej tyre e përdor teknologjinë.

Mbi 13% e bizneseve të BE-së me të paktën 10 punonjës kanë përqafuar Inteligjencën Artificiale, sipas Eurostat, një rritje prej 5.5% nga viti 2023, me të gjitha shtetet anëtare që raportojnë rritje në përdorimin e teknologjisë AI.

Bëhet e ditur se kompanitë e mëdha – domethënë ato me të paktën 250 punonjës – raportuan përdorim shumë më të lartë të AI: 42% mesatarisht.


Ekzistojnë gjithashtu dallime të rëndësishme në llojet më të përdorura të teknologjisë AI, ku veçoritë e gërmimit të tekstit, mësimit të thellë dhe automatizimit të rrjedhës së punës janë më të përhapurat, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Në përgjithësi, veçoria më e përdorur në biznesin e BE-së është nxjerrja e tekstit (7%), që do të thotë analiza e teksteve të shkruara, e ndjekur nga gjenerimi i gjuhës natyrore (5.4%), që është krijimi i automatizuar i gjuhës së shkruar ose të folur.

Njohja e të folurit, që do të thotë konvertimi i gjuhës së folur në një format të lexueshëm nga makina, është i treti me 4.8%.

Cilat vende evropiane po përdorin më shumë AI në biznes?

Danimarka kryeson në adoptimin e AI midis kompanive me 27.6%, e ndjekur nga Suedia me 25.1% dhe Belgjika me 24.7%.

Raportohet se Rumania ka normën më të ulët (3.1%), e ndjekur nga Polonia (5.9%) dhe Bullgaria (6.5%).

Ndërsa kur merren parasysh vetëm kompanitë e mëdha, Finlanda kryeson me 70%, ndërsa ekonomitë e mëdha si Franca dhe Italia qëndrojnë nën mesataren e BE-së, me afërsisht një të tretën e bizneseve të mëdha atje që përdorin AI.

Ndryshe, Gjermania dhe Spanja janë mbi mesataren e BE-së me norma të adoptimit përkatësisht 48% dhe 44%. /Telegrafi/