LAJMI I FUNDIT:

Inteligjenca artificiale ka hakuar sistemin operativ të qytetërimit njerëzor

Inteligjenca artificiale ka hakuar sistemin operativ të qytetërimit njerëzor
Yuval Noah Harari (ilustrim i punuar nga Dan Williams / The Economist)

Nga: Yuval Noah Harari / The Economist
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Frika nga inteligjenca artificiale (AI) e ka përndjekur njerëzimin që nga fillimi i epokës së kompjuterëve. Deri tash, këto frika përqendroheshin në makinat që përdornin mjetet fizike për të vrarë, për skllavëruar ose për t’i zëvendësuar njerëzit. Por, gjatë dy vjetëve të fundit janë shfaqur mjete të reja të AI-së të cilat prej një drejtimi të papritur kërcënojnë mbijetesën e qytetërimit njerëzor. AI ka fituar disa aftësi të jashtëzakonshme, për të manipuluar dhe gjeneruar gjuhën, qoftë me fjalë, tinguj apo imazhe. Në këtë mënyrë, AI ka hakuar sistemin operativ të qytetërimit tonë.

Gjuha është gjëja nga e cila përbëhet pothuajse gjithë kultura njerëzore. Të drejtat e njeriut, për shembull, nuk janë të regjistruara në ADN-në tonë. Përkundrazi, ato janë artefakte kulturore që kemi krijuar duke rrëfyer dhe duke shkruar ligje. Zotat nuk janë realitete fizike. Përkundrazi, janë artefakte kulturore që i krijuam duke shpikur mite dhe duke shkruar shkrime të shenjta.


Paraja, gjithashtu, është artefakt kulturor. Kartëmonedhat janë thjesht copa letre shumëngjyrëshe dhe aktualisht më shumë se 90 për qind e parave nuk janë as kartëmonedha – janë vetëm informacione digjitale në kompjuterë. Ajo që i jep vlerë parasë janë historitë që tregojnë bankierët, ministrat e Financave dhe gurutë e kriptomonedhave. Sam Bankman-Fried, Elizabeth Holmes dhe Bernie Madoff nuk ishin tamam të mirë në krijimin e vlerave reale, por të gjithë ishin tregimtarë shumë të aftë.

Çfarë do të ndodhte nëse një inteligjencë jonjerëzore bëhet më e mirë se njeriu mesatar në rrëfime, në kompozimin e melodive, vizatimin e imazheve dhe në shkrimin e ligjeve dhe të shkrimeve të shenjta? Kur njerëzit mendojnë për ChatGPT-në dhe mjetet e tjera të reja të AI-së, ata shpeshherë tërhiqen nga shembujt se fëmijët e shkollave po e përdorin AI-në për t’i shkruar esetë e veta. Çfarë do të ndodhë me sistemin shkollor kur fëmijët e bëjnë këtë? Por, ky lloj i pyetjes e shmang tablonë e madhe. Harrojini esetë e shkollës. Mendoni për garën e ardhshme presidenciale amerikane të vitin 2024, dhe përpiquni të imagjinoni ndikimin e mjeteve të AI-së që mund të krijohen për të prodhuar përmbajtje masive politike, lajme të rreme dhe shkrime për kultet e reja.

Vitet e fundit, kulti qAnon është formuar rreth mesazheve anonime në internet, të njohura si “pikat” [q drops]. Ndjekësit mblodhën, nderuan dhe i interpretuan këto pika si të ishin tekst i shenjtë. Ndërkohë, për aq sa dimë – se të gjitha pikat e mëparshme u përpiluan nga njerëzit dhe robotët thjesht ndihmuan në shpërndarjen e tyre – në të ardhmen mund të shohim kultet e para të historisë, tekstet e nderuara të të cilave janë shkruar nga inteligjenca jonjerëzore. Gjatë historisë, religjionet kanë pretenduar një burim jonjerëzor për librat e tyre të shenjta. Së shpejti mund të bëhet realitet.

Në një nivel më prozaik, së shpejti mund ta shohim veten duke bërë diskutime të gjata në internet për abortin, për ndryshimin e klimës ose për pushtimin rus të Ukrainës me entitetet që ne mendojmë se janë njerëz – por në të vërtetë janë AI. Karremi ka të bëjë me atë se është krejtësisht e kotë që ne të shpenzojmë kohë duke u përpjekur t’i ndryshojmë opinionet e deklaruara të një roboti të AI-së, ndërkohë që AI-ja mund të mpreh aq saktë mesazhet e veta sa të kenë shans më të mirë për të ndikuar në ne.

Nëpërmjet zotërimit të gjuhës, AI madje mund të krijojë marrëdhënie intime me njerëzit dhe ta përdor fuqinë e intimitetit për t’i ndryshuar opinionet dhe botëkuptimet tona. Edhe pse nuk ka asnjë tregues se AI-ja ka ndonjë ndërgjegje apo ndjenjë të vet për të nxitur intimitet të rremë me njerëzit, mjafton nëse AI mund t’i bëjë ata të ndihen të lidhur emocionalisht me të. Në qershor të vitit 2022, Blake Lemoine, një inxhinier i Google-it, pretendoi publikisht se çetboti i AI-së, Lamda – në të cilin ai punonte – ishte bërë i ndjeshëm. Pretendimi i diskutueshëm i kushtoi atij me largimin nga puna. Gjëja më interesante në këtë episod nuk ishte pretendimi i z. Lemoine, i cili ndoshta ishte i rremë. Përkundrazi, ishte gatishmëria e tij për ta rrezikuar punën e vet fitimprurëse për hir të çetbotit të AI-së. Nëse AI-ja mund të ndikojë te njerëzit që për të ta rrezikojnë punën e vet, çfarë tjetër mund t’i shtyjë të bëjnë?

Në një betejë politike për mendjet dhe për zemrat, intimiteti është arma më efikase dhe AI-ja sapo e ka fituar aftësinë për të prodhuar – në mënyrë masive – marrëdhënie intime me miliona njerëz. Të gjithë e dimë se gjatë dekadës së fundit mediat sociale janë bërë fushëbetejë për kontrollin e vëmendjes njerëzore. Me gjeneratën e re të AI-së, fronti i betejës po kalon nga vëmendja në intimitet. Çfarë do të ndodhë me shoqërinë njerëzore dhe me psikologjinë njerëzore teksa AI lufton me AI-në në një betejë për t’i falsifikuar marrëdhëniet intime me ne, të cilat më pas mund të përdoren për të na bindur që të votojmë politikanët e veçantë ose të blejmë produkte të veçanta?

Edhe pa e krijuar “intimitetin e rremë”, mjetet e reja të AI-së do të kishin ndikim të jashtëzakonshëm në opinionet dhe botëkuptimet tona. Njerëzit mund ta përdorin një këshilltar të vetëm të AI-së si orakull të vetëm e të gjithëdijshëm. Nuk është çudi që Google është i tmerruar. Pse të lodhemi që të kërkojmë, kur mund ta pyes orakullin? Industritë e lajmeve dhe të reklamave gjithashtu duhet të tmerrohen. Pse duhet ta lexojmë një gazetë kur thjesht mund t’ia kërkoj orakullit të m’i tregojë lajmet më të fundit? Dhe, cili është qëllimi i reklamave, kur thjesht mund t’ia kërkoj orakullit të më thotë se çfarë duhet të blej?

Por, as këta skenarë nuk e mbërthejnë tamam tablonë e madhe. Ajo për të cilën po flasim është potencialisht fundi i historisë njerëzore. Jo fundi i historisë, vetëm fundi i pjesës së saj të dominuar nga njerëzit. Historia është ndërveprimi ndërmjet biologjisë dhe kulturës; mes nevojave dhe dëshirave tona biologjike për gjërat e tilla si ushqimi dhe seksi, dhe krijimet tona kulturore si religjionet dhe ligjet. Historia është procesi përmes të cilit ligjet dhe religjionet i japin formë ushqimit dhe seksit.

Çfarë do të ndodhë me rrjedhën e historisë, kur AI-ja do të marrë përsipër kulturën dhe do të fillojë të prodhojë rrëfime, melodi, ligje dhe religjione? Mjetet e mëparshme, si shtypshkronjat dhe radiot, ndihmuan në përhapjen e ideve kulturore të njerëzve, por kurrë nuk krijuan ide të reja kulturore. AI është krejtësisht ndryshe. AI mund të krijojë ide krejtësisht të reja, kulturë krejtësisht të re.

Në fillim, AI-ja ndoshta do t’i imitojë prototipat njerëzorë me të cilat është trajnuar në fillimet e veta. Por, me çdo vit që kalon, kultura e AI-së do të shkojë me vetëbesim atje ku asnjë njeri nuk ka shkuar më parë. Për mijëra vjet, qeniet njerëzore kanë jetuar brenda ëndrrave të njerëzve të tjerë. Në dekadat e ardhshme mund ta gjejmë veten duke jetuar brenda ëndrrave të një inteligjence aliene.

Frika nga AI-ja e ka përndjekur njerëzimin vetëm në dekadat e fundit. Por, për mijëra vjet njerëzit janë përndjekur nga një frikë shumë më e thellë. E kemi vlerësuar gjithmonë fuqinë e tregimeve dhe të imazheve, për t’i manipuluar mendjet tona dhe për të krijuar iluzione. Rrjedhimisht, që nga kohërat e lashta njerëzit kishin frikë se mos ngecnin në një botë iluzionesh.

Në shekullin XVII, René Descartes kishte frikë se ndoshta një demon keqdashës e kishte zënë në kurth, brenda një bote iluzionesh, duke krijuar gjithçka që ai ka parë dhe dëgjuar. Në Greqinë e lashtë, Platoni e tregoi Alegorinë e famshme të Shpellës, në të cilën një grup njerëzish janë të lidhur me zinxhirë brenda një shpelle, gjatë gjithë jetës, përballë një muri të zbrazët. Një ekrani! Në atë ekran ata shohin hije të ndryshme të projektuara. Të burgosurit e ngatërrojnë realitetin me iluzionet që shohin atje.

Në Indinë e lashtë, urtakët budistë dhe hinduistë vunë në dukje se të gjithë njerëzit jetonin të bllokuar brenda Majas, në botën e iluzioneve. Ajo që ne zakonisht e konsiderojmë realitet është shpeshherë vetëm trillim në mendjet tona. Njerëzit mund të bëjnë luftëra të tëra, duke vrarë të tjerët dhe të jenë të gatshëm që vetë të vriten, për shkak të besimit që kanë në këtë apo në atë iluzion.

Revolucioni i AI-së po na sjell ballë për ballë me Demonin e Descartesit, me Shpellën e Platonit, me Majan. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të mbetemi në kurth prapa perdes së iluzioneve të cilën nuk mund ta heqim dot – madje as ta kuptojmë se ekziston.

Sigurisht, fuqia e re e AI-së mund të përdoret edhe për qëllime të mira. Nuk do të ndalem te kjo, sepse njerëzit që zhvillojnë AI-në flasin mjaft për këtë. Detyra e historianëve dhe e filozofëve si unë është që t’i theksojnë rreziqet. Por, sigurisht, AI-ja mund të na ndihmojë në mënyra të panumërta, që nga gjetja e ilaçeve të reja për kancerin e deri te zbulimi i zgjidhjeve për krizën ekologjike. Pyetja me të cilën përballemi është se si të sigurohemi që mjetet e reja të AI-së të përdoren për të mirë dhe jo për keq. Për ta bërë këtë, së pari duhet t’i vlerësojmë aftësitë e vërteta të këtyre mjeteve.

Që nga viti 1945, e kemi ditur se teknologjia bërthamore mund të gjenerojë energji të lirë për të mirën e njerëzve – por, ajo gjithashtu fizikisht mundet ta shkatërrojë qytetërimin njerëzor. Prandaj, riformësuam gjithë rendin ndërkombëtar për ta mbrojtur njerëzimin dhe për t’u siguruar që teknologjia bërthamore do të përdoret kryesisht për mirë. Tani duhet të luftojmë me një armë të re të shkatërrimit në masë, që mund të asgjësojë botën tonë mendore dhe sociale.

Ne ende mund t’i rregullojmë mjetet e reja të AI-së, por duhet të veprojmë shpejt. Teksa bërthamat nuk mund të shpikin bërthama më të fuqishme, AI-ja në mënyrë eksponenciale mund ta bëjë më të fuqishme një AI. Hapi i parë vendimtar është të kërkohen kontrollet rigoroze të sigurisë, përpara se mjetet e fuqishme të AI-së të lëshohen në domenin publik. Ashtu siç një kompani farmaceutike nuk mund të lëshojë barna të reja përpara se t’i testojë efektet anësore, afatshkurtra dhe afatgjata, ashtu edhe kompanitë e teknologjisë nuk duhet t’i lëshojnë mjetet e reja të AI-së përpara se ato të bëhen të sigurta. Për teknologjinë e re ne kemi nevojë për një ekuivalent të Administratës së Ushqimit dhe të Barnave, dhe kjo sa më shpejtë që është e mundur.

Ngadalësimi i vendosjes publike të AI-së, a nuk do t’i lë kjo demokracitë të ngelen prapa regjimeve më të pamëshirshme autoritare,? Pikërisht e kundërta. Vendosjet e parregulluara të AI-së do të krijonin kaos social, nga i cili do të përfitonin autokratët dhe kjo do t’i shkatërronte demokracitë. Demokracia është bisedë dhe bisedat mbështeten te gjuha. Kur AI-ja e hakon gjuhën, mund të shkatërrojë aftësinë tonë për të pasur biseda kuptimplota, duke e shkatërruar kështu edhe demokracinë.

Ne sapo kemi hasur në një inteligjencë aliene, këtu në Tokë. Nuk dimë shumë për të, përveçse mund ta shkatërrojë qytetërimin tonë. Duhet ta ndalojmë vendosjen e papërgjegjshme të mjeteve të AI-së në sferën publike dhe ta rregullojmë AI-në përpara se ajo të na rregullojë neve. Dhe, rregullorja e parë që do të sugjeroja është që ta bëjë të detyrueshme për AI-në që të zbulojë se a është një AI. Nëse jam duke biseduar me dikë dhe nuk mund të them nëse është njeri apo AI – ky është fundi i demokracisë.

Ky tekst është krijuar nga një njeri.

Apo nuk e ka krijuar? /Telegrafi/