LAJMI I FUNDIT:

Instituti EPIK: Për 10 vjet, rreth 1.8 milionë njerëz u larguan nga Shqipëria e Kosova

Instituti EPIK: Për 10 vjet, rreth 1.8 milionë njerëz u larguan nga Shqipëria e Kosova

Instituti EPIK ka publikuar një raport në të cilën paraqiten migrimin e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë në një periudhë 10 vjeçare.

Sipas një hulumtimi  të EPIK, rreth 1,249,706 (44%), qytetarë janë larguar nga Shqipëria e Kosova në periudhën 2008-2018.


“Viteve të fundit diskursi publik në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian është dominuar nga raportimet dhe debati publik për shkallën e emigrimit të qytetarëve nga rajoni i Ballkanit. Në mënyrë që të kontribuojmë që ky diskurs të jetë sa më i informuar, Instituti EPIK ka ndërmarrë hulumtimin e radhës, për të kuptuar ndikimin real të emigrimit të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së gjatë periudhës 2008- 2018”, thuhet në raportin e këtij instituti, shkruan Telegrafi.

Në këtë listë, prin Shqipëria për t’u renditur e dyta Kosova me 529.647 (30%) qytetarë të larguar nga vendi. Ndërkaq, përfshirë Ballkanin Perëndimor, gjatë periudhës 2008-2018, 2,979,766 kanë emigruar në shtetet e BE-së.

Sipas institutit EPIK, për një dekadë, 1,599,971 apo 54% nga ta kanë migruar në mënyrë të ligjshme, duke fituar lejen e qëndrimit. Ndërkaq, 808,030 apo 27% janë zënë ilegalisht të pranishëm në BE; ndërsa 571,765 qytetarë apo 19% e tyre kanë kërkuar azil.

Sipas raportit, 171,690 persona nga Kosova kanë kërkuar për herë të parë azil në vendet e Bashkimi Evropian për periudhën 2008-2018, prej tyre, 141,900 qytetarë kanë qëndruar në mënyrë ilegale dhe 216,057 kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë.

Ndërkaq, për të njëjtën periudhë, 451,015 qytetarë të Shqipërisë u zunë ilegalisht të pranishëm në shtetet e BE-së. Kjo është më shumë se numri i të gjithë qytetarëve nga të gjitha vendet e rajonit marrë së bashku. Me fjalë të tjera, 16% e popullsisë së Shqipërisë është zënë ilegalisht në BE gjatë kësaj periudhe.

Duke iu referuar institutit EPIK, Shqipëria është e para në rajon me numrin e qytetarëve që kanë fituar lejen e qëndrimit në BE. Pasi 622,171 qytetarë të Shqipërisë fituan lejen e qëndrimit gjatë 2008-2018”, e po ashtu Shqipëria është e para në rajon për numrin e qytetarëve të cilëve iu është refuzuar hyrja në BE.

Shteti me shkallën më të vogël të migrimit është Mali i Zi me 36,089 qytetarë apo 6% të popullatës.

Gjermania dhe Franca janë vendet e BE-së të cilat kanë pranuar më së shumti azilkërkues. Ndërkaq vendet të cilat prijnë me qytetarë të zënë ilegalisht janë Greqia me 280,850 dhe Gjermania me 52,220, thuhet në hulumtim./Telegrafi/