Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon transparencë dhe trajtim të barabartë të mediave nga KQZ

Avokati i Popullit ka reaguar pas vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos akredituar disa media që kishin aplikuar për ta përcjellë procesin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në reagimin e tij, institucioni i Avokatit të Popullit ka theksuar se po e përcjell me vëmendje situatën e krijuar, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që garantojnë përfaqësim demokratik dhe shprehin vullnetin politik të qytetarëve.
“Avokati i Popullit tërheq vëmendjen në vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, që bazohen në parimet e lirisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit dhe mosdiskriminimit”, thuhet në njoftim.
Me theks të veçantë, institucioni ka rikujtuar rolin e pazëvendësueshëm të mediave dhe pluralizmit medial në informimin e opinionit publik dhe në sigurimin e transparencës së procesit zgjedhor.
Avokati i Popullit ka inkurajuar palët e prekura nga vendimmarrja e KQZ-së që të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion, ndërkohë që ka njoftuar se ka hapur hetim sipas detyrës zyrtare lidhur me rastin.
Në fund, ky institucion ka apeluar se “pa një proces zgjedhor që respekton standardet e demokracisë nuk mund të ketë respekt të vërtetë të të drejtave të njeriut, ashtu sikurse pa respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara, nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të pranueshme e të besueshme.”
















































