Në Komunën e Suharekës u zhvillua takimi i tretë i Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje për këtë vit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e vetëdijesimit qytetar për parandalimin e dhunës.

Në takim mori pjesë nënkryetarja e komunës, Mhirije Suka, e cila theksoi rëndësinë e koordinimit mes institucioneve për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e rasteve të dhunës në familje, përcjell Telegrafi.




Koordinatorja e mekanizmit, Habibe Bytyqi, prezantoi analizën e rasteve të raportuara gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, duke nënvizuar përkushtimin e institucioneve në trajtimin dhe adresimin e këtyre situatave.

Gjatë diskutimeve u evidentuan mënyra të reja për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për forcimin e vetëdijes qytetare mbi rëndësinë e parandalimit të dhunës në familje. /Telegrafi/