LAJMI I FUNDIT:

Informatat ‘sekrete’ për fqinjët e m’i

Informatat ‘sekrete’ për fqinjët e m’i

Në Angli, sidomos në Londër, nuk ekziston marrëdhënia sociale të cilën, ne në Ballkan e gjetiu, e njohim me termin fqinjësi apo komshillëk. Ndoshta dikur ka ekzistuar, por sot është në venitje e sipër apo dikun është zhdukur tërësisht. Kjo mund të shihet edhe nga rasti im. Nga disa qindra fqinj që jetojnë në rrethin e ngushtë të lagjes time, unë ua di emrin vetëm tre apo katër vetave. Kjo gjendje është rezultat i mungesës së shoqërimit dhe rrjedhimisht mungesës së informatave. Shumica dërmuese e anglezëve, thjeshtë, nuk dëshirojnë ta njohin fqinjin e tyre.

Fqinjët që gjenden në anën e majtë të shtëpisë sime, janë një çift që ndoshta nga mosha janë më të vjetër se unë. Unë në këtë lagje jam që nga viti 1998, por nuk e di se si quhen. Deri vonë as që jemi përshëndetur mes veti. Ata janë njerëz të urtë dhe shtëpiakë, siç themi ne. Por, kurrë nuk kemi komunikuar me ndonjë fjalë më shumë se ‘good morning, good afternoon’ ose ‘good night’. Asnjë herë nuk e kemi pyetur njëri tjetrin ‘how are you’? Kjo nuk është për shkak se unë nuk jam anglez apo që jam i huaj. Jo. Kjo gjendje është e këtillë edhe në mes vendasve – anglezëve.


Në anën time të djathtë deri para disa muajve ka jetuar një familje interesante. Aty ka jetuar një grua me mbipeshë që punonte për ‘Google Map’. Gjatë ditëve të javës, me veturën e saj të vogël dhe të mbushur me kamera, i incizonte rrugët e Londrës të cilat dalin si ‘update’ në ‘Google Map’. Gjatë vikendit shiste gjëra në treg. Kësaj zonje kurrë nuk ia kam mësuar emrin, por e di që i kishte katër fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pra, gjatë dy dekadave të fundit, në këtë shtëpi burrat janë ndërruar shpesh. Për shkak të fëmijëve të mi, ua kam ditur emrin dy djemve të saj. Njëri quhet Kevin kurse tjetri Jake dhe që të dy kanë qenë djem të mirë e të sjellshëm. Me këta kam patur një komunikim për shkak se shoqëroheshin sporadikisht me djemtë e mi.

Por, kur këta ishin fëmijë, kishte probleme pasi që ngacmoheshin nganjëherë. Një ditë vendosa që të shkoj te fqinja ime dhe t’ia tërheq vërejtjen e fundit për shkak të djemve të saj që atëherë, si fëmijë, ishin ngucakeqë. Hyra brenda, pasi që fqinja nuk iu përgjigj trokitjes sime ne derë, por u shtanga nga pamja. Ajo, gjysmë e shtrirë qëndronte në një kolltuk me një kanaçe të birrës në dorë. Dukej si një luftëtare e lodhur që po kapitullonte. Tavolina para saj, por edhe dyshemeja, ishte e mbushur me kanaçe të zbrazëta e të plota. Nuk e kishte pastruar dhomën, me siguri për disa javë rresht. Gjysmë apo plotësisht e dehur, fqinja ime, duke mos lëvizur nga vendi, e drejtoi shikimin me sy që ia kishin rënduar qerpikët dhe më pyeti: ’How can I help you, Sir’. Harrova pse kisha shkuar. Megjithatë, anglezët, çfarëdo klase që i takojnë, nuk ke gjasa që verbalisht t’i zësh në ‘off side’.

Nga kati im i dytë, unë e shoh oborrin e tyre si në pasqyrë. Oborri gjithmonë ka qenë në gjendje tejet të parregullt. Gjërat qëndronin të shpërndara sikur aty të kishte rënë ndonjë bombë nga aeroplani. Në oborr është një qershi e cila me siguri ka dalë vet e jo që e kanë mbjell dikush. Qershia është e llojit që ne i themi bojli dhe duhet të jetë shumë e ëmbël. Tashti, në këtë kohë, kur e vrojtoj nga dritarja, e shoh se ka filluar të piqet. Por, ekzistonte një çudi e madhe me këtë qershi. Në pranverë, me lulet e saja të bukura, qershia e hijeshon vendin. Disa nga degët dalin në rrugicë dhe bëjnë hije. Qershia piqej dhe frytet i thaheshin në degë. Në vjeshtë, qershia dukej keq. I binin gjethet, por mbetnin frutat e terura në formë të lëkurës ku shihej edhe bërthama e cila me bisht ende lidhej për degë.

Një herë e pata pyetur Kevinin pse nuk i hanin qershitë? ‘Jo, kurrsesi. Nuk hahen’ – më pat thënë. Kevini nuk besonte që hahen qershitë që nuk janë të supermarketit. Jam munduar që ta bindja se hahen, por orvatjet e mia kanë përfunduar me dështim. Në vazhdë të bindjeve, një herë e pata pyetur nëse mund t’i mbledh unë frytat e t’i ha. ‘Jo, më vjen keq’ – më tha dhe vazhdoi se ‘nëse i han e të gjen gjë, unë jam përgjegjës’. Përgjigje tipike angleze.

Këta tashti janë larguar nga aty dhe t’ua them të drejtën edhe pse ne nuk kishim marrëdhënie fqinjësore siç duhej, mua më kaploi një mall kur dolën nga shtëpia. Tashti këta janë zëvendësuar nga një familje që duken të jenë aziatikë. Ka gjasa të mëdha që për një kohë të gjatë e ndoshta kurrë nuk do ta di se kush janë saktësisht.

Matanë tyre është një familje tjetër. Ju mund të mos besoni, por unë kurrë nuk i kam parë. Ose i kam parë në rrugë, por jo duke hyrë e dalë nga oborri para shtëpisë. Por, para disa viteve një djalë të tyre ‘teenager’ arrita ta njoh pasi që e pashë në gazetë. Gazeta shkroi për një rast që kishte ndodhur në një ‘party’ të të rinjve, ku tragjikisht kishin humbur jetët tre prej tyre. Njëra ishte vajza e një personaliteti të njohur britanik dhe kjo ishte arsyeja që kjo punë u bë e madhe. Vdekja e këtyre të rinjve kishte pasuar nga përdorimi i tabletave ‘ecstasy’, të cilat, në ‘party’ i kishte sjell djaloshi që ishte fqinji im i cili po ashtu kishte probleme serioze, por me kohë ishte dërguar në emergjencë ku ia kishin shpëtuar jetën.

Edhe në një shtëpi matanë jeton një familje shumë e çuditshme. Deri para disa viteve oborri i kësaj shtëpie, gjatë ditëve me mot të mirë, ka qenë vend për ‘party’ pothuaj të përditshëm, Mos të flasim për vikende kur mbushej oborri dhe ndizej skara për ‘barbecue’. Jehonte kënga dhe zbrazeshin gotat e rakisë apo birrave, së bashku me copat e mishit dhe kaqikat e pulave. Njerëz të hareshëm që gjenin mënyrë për t’u kënaqur, do të thoni ju. Por, në mesin e këtyre ahengxhinjve kishte hyrë një e keqe. Tre çifte prej tyre e kishin bërë shprehi që kinse tinëz të flinin me gratë e njëri-tjetrit. Kur kjo gjë u mor vesh, plasi sherri. Një ditë u rrahën mes veti dhe përfundoi shoqëria së bashku me shkurorëzime. Kjo ka qenë një arsye që fqinjët tjerë u gëzuan dhe e shfrytëzuan rastin të sulmonin hyrje-daljen e fqinjëve dhe të thoshin ‘ja se çka ju gjenë nëse bëni kojshillëk sikur këta’!

Sidoqoftë, çifti që jetonte në këtë shtëpi kishte disa fëmijë, por njeri prej tyre, që i vogël, ka qenë i shënjuar. Ai quhej Montel dhe tërë ditën luante me një topin i cili shpesh binte në oborrin tim dhe nuk ia jepja për disa ditë rresht si dënim. Ai mundohej të hynte tinëz në oborr, por unë i bërtisja. Për këtë më mbajti në mend dhe kurrë nuk i kam pëlqyer. Më vonë ai u bë futbollist profesionist dhe pati rast për karrierë të shkëlqyeshme. Por, Monteli nuk qe edukuar mirë dhe si futbollist iu rrit mendja krahas popullaritetit. Para disa muajve është dënuar me 14 vite burg për shkak se së bashku me një shok të tij e kishin dhunuar një vajzë. Gjatë dhunimit seksual i kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore gjatë tërë natës.

Siç po e shihni, edhe pse nuk ‘çojmë kojshillëk’, siç themi ne, informatat i kemi të gjitha. Dhe, mos më pyetni se si i di unë këto punë? Nuk e kam ide se si, por i di. Informatat në lagjet e anglezëve në Londër qarkullojnë në mënyrë misterioze. Së paku kështu kam menduar, derisa e kam zbuluar mënyrën e këtij qarkullimi.

Në lagjen time është një shitore ku nuk shesin veç karamele. Shitësi është quajtur Mr. Patel, i cili ka qenë një njeri trup shkurtër dhe hallëligësht. Megjithatë, ka qenë njeri i këndshëm. Ai këtu ka punuar rrafsh 40 vite dhe kur u pensionua shkroi gazeta lokale e cila ia kushtoi një artikull të shoqëruar me fotografi. Pas gjashtë muajve gazeta shkroi sërish për të. Kësaj radhe për shkak se Mr. Patel kishte vdekur. I gjori nuk e gëzoi pensionin pasi që ishte sëmurë nga kanceri që ia mori jetën shpejt.

Unë kam shkuar rrallë në këtë shitore dhe nuk kam pasë muhabet me Mr. Patelin. I kërkoja artikullin që kisha nevojë dhe ai ma shërbente derisa unë ia paguaja. Kaq ishte relacioni mes nesh. Një herë më dha kusur më shumë se që duhet dhe unë ia bëra me dija duke ia kthyer pas. Nga fytyra e tij e pashë se u impresionua. ‘Nuk ndodhë kjo gjë shpesh’ – më pat thënë. Nga kjo besoj se ai ka patur mendim të mirë për mua, por nuk kam besuar se ai e di se kush jam. Kur një ditë hyra në dyqan të tij, më pyeti me buzëqeshje:’ Ah, Mr. Dauti, you are back from Kosovo’? Të ua them të drejtën nuk më erdhi mirë për këtë që më tha. Ku e diti ai që unë kam qenë në Kosovë?

Në fakt. Mr. Patel i kishte ditur të gjitha gjërat që ndodhin në lagje. Absolutisht të gjitha. Më vonë, kur e kam kthyer shiritin e kujtesës, e kam kuptuar se si i di ai këto gjëra. Sa herë që kam shkuar në dyqanin e tij, kam vërejtur se aty, gratë, pasi që blejnë gjërat që kanë nevojë, ndalen të bisedojnë me Mr. Patelin. Absolutisht të gjitha gratë, përfshirë edhe gruan time. Nga eksperienca ime e gazetarit, mund t’ju them se nuk ka ‘informatorë’ me të mirë se gratë. Ato, diku i kallxojnë të gjitha gjërat. Në këtë aspekt, ky dyqan ka qenë qendra e inteligjencës së lagjes, apo më mirë të themi në anglisht, ‘Intelligence Headquarters’ apo MI6 lokal, kurse Mr. Patel ka qenë ‘spy chief’ apo kryespiuni.

Tashti, në këtë aspekt, lagja pa Mr. Patelin i ka punët keq. Ndoshta ‘headquarters’ ka kaluar diku tjetër, por unë ende nuk e kam zbuluar. Megjithatë, edhe pse në Londër mungon aspekti i fqinjësisë, qarkullimin e informatave nuk ka dreq që e ndalon. Informata gjithmonë e gjen rrugën e vet.