Sot rreth orës 10:15, ka ndodhur një incident teknik në ndërmarrjen publike "Trepça".

Sipas njoftimit, ky incident ka ndodhur gjatë procesit të zbrazjes së hirit nga një cisternë transportuese në ambientet operative të Trepça Sh.A, shkruan Telegrafi.


Bëhet e ditur se gjatë kyçjes së zorrës së kamionit, është dëgjuar një zhurmë në pjesën e sipërme të cisternës dhe është konstatuar dëmtimi i kapakut, duke sjellë daljen e një sasie të vogël hiri në sipërfaqe dhe krijimin e një shtrese pluhuri para objektit.

"Menjëherë është ndërhyrë nga ekipi teknik, janë kryer kontrollet e nevojshme, dhe është konstatuar se pajisjet ndihmëse (gypi i sillosit dhe zorra e zbrazjes) ishin funksionale. Sipas vlerësimeve fillestare, shkaktari i mundshëm është dobësimi i bulonave të kapakut, që ka lejuar rritjen e presionit dhe dëmtimin e tij", thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se nuk është raportuar asnjë lëndim dhe asnjë dëm material dhe pas ndërhyrjes teknike, pajisja është rikthyer në funksion të rregullt. /Telegrafi/