Një incident shqetësues ka ndodhur gjatë turneut të fundit të Beyonce-s, “Cowboy Carter”, në Atlanta, ku muzikë dhe materiale të papublikuara të superyllit botëror janë raportuar të vjedhura.

Ngjarja ndodhi më 8 korrik, kur një automjet SUV i marrë me qira nga koreografja e Beyonce-s, i parkuar në tregun Krog Street, u thye dhe dy valixhe që përmbanin të dhëna të ndjeshme u morën nga persona ende të paidentifikuar.


Sipas një raporti të siguruar nga ABC News, valixhet përmbanin disqe të ngurta me pamje filmike, dokumente me plane për listat e këngëve të kaluara dhe të ardhshme, si dhe muzikë të papublikuar të këngëtares.

Policia e Atlantës ka konfirmuar se hetuesit kanë siguruar tashmë një urdhër arresti për një të dyshuar, por emri i tij nuk është bërë ende publik.

Autoritetet sqaruan se grabitja është kapur nga kamerat e sigurisë dhe vendi i ngjarjes është inspektuar për gjurmë gishtash.

Përveç materialeve të Beyonce-s, janë raportuar të vjedhura edhe rroba, syze dielli firmato, pajisje elektronike si laptopë dhe kufje, të cilat i përkisnin anëtarëve të ekipit të saj.

Çifti që raportoi incidentin, Christopher Grant dhe Diandre Blue, deklaruan se hyrja me forcë ndodhi nga një portë e pasme pranë një ashensori dhe se automjeti i zi Jeep Wagoneer u vodh rreth orës 20:09.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji që lidhet me artistën. Në vitin 2021, një sërë njësish magazinimi të lidhura me Beyonce-n në Los Angeles u grabitën dy herë, me dëme që arrinin mbi një milion dollar (920,000 euro). Atëherë, u vodhën sende personale, përfshirë çanta dore, fustane dhe lodra fëmijësh.

Beyonce përfundoi shfaqjen e saj të fundit në Atlanta më 14 korrik në stadiumin Mercedes-Benz, ndërsa përfaqësuesit e saj nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për këtë incident.

Fansat shpresojnë që materiali i vjedhur të mos përfundojë në duar të gabuara apo të publikohet pa autorizim. /Telegrafi/