Ilir Seferi prezanton projektin “Arbëria e Vogël” – nga kujtesa në lëvizje për Skenderajn

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Skenderaj, Ilir Seferi, ka bërë prezantimin e projektit për "Arbërinë e Vogël".
Ai ka deklaruar se Arbëria e vogël e Azem Galicës nuk do të jetë më vetëm pjesë e librave të historisë apo fotografive të vjetra.
"Një projekt i ri ambicioz do t’i shndërrojë kufijtë historikë të kësaj zone në një shteg modern për ecje dhe çiklizëm, duke lidhur natyrën, kujtesën dhe krenarinë kombëtare", thotë Seferi.
Ai ka deklaruar se "në vendin ku dikur u zhvilluan ngjarje të rëndësishme të qëndresës shqiptare, shumë shpejt do të krijohet një itinerar që i fton qytetarët dhe vizitorët të përjetojnë historinë përmes lëvizjes, çdo hap dhe çdo pedal në këtë rrugë do të jetë një kujtesë gjallë për trashëgiminë tonë".
"Ky projekt synon të jetë më shumë se një atraksion rekreativ: ai është një rilindje e identitetit kombëtar përmes turizmit, natyrës dhe historisë", ka deklaruar ai.
Mes tjerash, ai ka shtuar se "një shembull i parë i shtegut tashmë është realizuar, duke shënuar fillimin e këtij transformimi për Skenderajn".


















































