LAJMI I FUNDIT:

IKSHPK rekomandon qytetarët që furnizohen nga këto sisteme ta vlojnë ujin para përdorimit

IKSHPK rekomandon qytetarët që furnizohen nga këto sisteme ta vlojnë ujin para përdorimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), njoftoi të premten se ka stabilizim të situatës me furnizim dhe cilësi të ujit për pije.

Sipas njoftimit, aktualisht në të gjithë njësitë e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit vlerat e turbullirës janë brenda standardeve të parapara, si dhe gjendja dukshëm është përmirësuar pas reshjeve të shiut ditëve të kaluara.


“Vlera e turbullirës është rikthyer në vlera parametrike brenda standardeve të parapara me UA 10/2022 për cilësi të ujit për konsum human. Funksionalizimi në Impiantet e Trajtimit të ujit për pije (ITU) është rikthyer në kapacitet të plotë”, thuhet në njoftimin për media.

“Të gjitha mostrat e grumbulluara gjatë ditës së sotme i përgjigjen standardeve të parapara për ujin e pijshëm. Klori rezidual në ITU sillet nga 0.5-0.7 mg/L, derisa në rrjetin shpërndarës 0.1-0.3 mg/L”.

Tutje, bëhet e ditur se vlera të shtuara të turbullirës, edhe pse shumëherë më të ulëta se ditëve të kaluara, mbeten ende në zonat:

📌 KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: burimi në Radavc (7.8 NTU ), burimi / Istog (10 NTU ),  burimi Janinë/Klinë (15.3 NTU ), burimi Shkozë/Junik (8.9 NTU).

📌 KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës: burimi Gërqinë (2.6 NTU).

📌 KRU “Hidroregjioni Jugor”- Rajoni i Prizrenit: burimi / Malishevë (9.8 NTU).

📌 KRU “Hidromorava”- Rajoni i Gjilanit: burimi Novobërdës (<10 NTU).

Sipas IKSHPK-së, uji në rrjetet shpërndarëse nga këto sisteme për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës, nuk është brenda standardit të paraparë.

Ndaj, rekomandohen qytetarët që furnizohen nga këto sisteme, ta vlojnë ujin para përdorimit.

“Ekipet tona në teren vazhdojnë me monitorim të rregullt. Jemi në kontakt dhe bashkëveprim të vazhdueshëm me personelin përgjegjës në KRU-të  deri në stabilizimin e plotë të gjendjes”, vijon njoftimi.

“Shpresojmë se në ditët në vazhdim vlerat e turbullirës edhe në burimet e lartë cekura do të ulen deri në vlerat e parapara (1 NTU) dhe stabilizim të furnizimit me ujë cilësor në tërë vendin”. /Telegrafi/