Igli Tare po përjeton një mbrëmje të veçantë në “San Siro”, teksa përballet me Lazion, klub ku kaloi gati dy dekada – fillimisht si sulmues dhe më pas si drejtor sportiv deri në vitin 2025.

Drejtori aktual i Milanit pranon se emocionet janë të mëdha, por zbulon edhe një detaj të rëndësishëm: Ekziston një “pakt” mes klubit dhe dy yjeve Mike Maignan dhe Luka Modric sa i përket kontratave të tyre.


“Isha pothuajse dy dekada te Lazio, ishin vite të mrekullueshme dhe mbaj kujtime fantastike”.

“Roma dhe Lazio do të kenë gjithmonë një vend në zemrën time, por sapo nis ndeshja, unë jam duke brohoritur për Milanin”.

Kontrata e Maignan skadon në qershor të vitit 2026 dhe së fundi është raportuar se Milan ka nisur përpjekjet për rinovim. Tare konfirmon se ekziston një mirëkuptim i qartë mes palëve.

“Mike po bën shumë mirë, siç e prisnim. Kemi bërë disa marrëveshje në fillim të sezonit dhe siç jemi dakorduar, nuk i vëmë presion njëri-tjetrit. Jemi të përqendruar te ndeshja, pastaj do të shohim si zhvillohen gjërat”.

Një nga goditjet më të mëdha të merkatos së verës për Milanin ishte afrimi i Luka Modric si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Real Madridin kishte përfunduar. Tare tregon se prurja e kroatit ishte pjesë e një plani të menduar gjatë.

“Analizuam me kujdes sezonin e kaluar dhe kërkuam lojtarë me personalitet të fortë, të aftë të sillnin ndikim të menjëhershëm”.

“Modric pati ndikim të jashtëzakonshëm. Ka gëzimin e një fëmije kur luan futboll dhe përgatitet për çdo ndeshje me vëmendje maksimale ndaj detajeve”.

Tare thekson se dëshira është që Modric të vazhdojë te Milani.

“Shpresoj të luajë ende me ne. Ai ka opsion edhe për një vit tjetër, por do ta vendosim qetësisht, pa presion. Rruga e tij me klubin do të mësohet në momentin e duhur”./Telegrafi

telegrafi sport app