Idrizi: Vushtrria Code Fest dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të të rinjve në teknologji


Në Vushtrri është mbajtur edicioni i radhës i “Vushtrria Code Fest”, ngjarje e dedikuar teknologjisë, inovacionit dhe kreativitetit të të rinjve, e cila është organizuar në bashkëpunim me Innovation Academy.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vlerësuar lart pjesëmarrjen e nxënësve dhe projektet e prezantuara gjatë festivalit, duke theksuar se ato janë dëshmi e punës dhe përkushtimit të tyre.
“Shumë i lumtur që edhe këtë vit, bashkë me Innovation Academy, kemi organizuar festivalin më të madh të teknologjisë dhe inovacionit në Vushtrri, ku të rinjtë tanë po shfaqin talentin, kreativitetin dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Idrizi.
Ai ka shtuar se përmes projekteve në fusha si robotika, programimi dhe inteligjenca artificiale, të rinjtë po dëshmojnë gatishmërinë për sfidat e së ardhmes.
“Secili projekt i prezantuar sot ishte dëshmi e punës, përkushtimit dhe vullnetit të madh të nxënësve tanë për të mësuar, krijuar dhe sjellë ide të reja. Përmes robotikës, programimit, inteligjencës artificiale dhe zgjidhjeve të tjera inovative, ata po tregojnë se janë të gatshëm të përballen me sfidat e së ardhmes”, ka thënë ai.
Idrizi ka theksuar se Komuna e Vushtrrisë do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla, duke e konsideruar investimin në rini dhe teknologji si investim në të ardhmen.
“Komuna e Vushtrrisë do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla, sepse besojmë se investimi në të rinjtë, në dije dhe në teknologji është investimi më i sigurt për të ardhmen e qytetit dhe vendit tonë”, është shprehur Idrizi.
Në fund, ai ka uruar të gjithë pjesëmarrësit për sukses dhe vazhdim të mbarë të festivalit. /Telegrafi/





































