Komuna e Gjakova ka njoftuar se, bazuar në informacionet e pranuara nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, janë gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, i cili ishte marrë gjatë luftës nga forcat serbe dhe prej atëherë nuk dihej për fatin e tij.

Sipas njoftimit, Dylhasi do të rivarroset ditën e premtë në Kompleksin Memorial në Çabrat.


Komuna ka bërë të ditur se Myrteza Dylhasi, më 27 mars 1999, ishte marrë nga forcat serbe së bashku me babanë e tij, Skënder Dylhasi, gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinjë të familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga.

Ata ishin marrë nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë.

“Ceremonia e rivarrimit të martirit Myrteza (Skënder) Dylhasi do të mbahet të premten, më 6 mars. Homazhet do të mbahen nga ora 12:00 deri në orën 13:00 në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’ në Gjakovë. Varrimi do të bëhet në orën 13:30 në Kompleksin Memorial në Çabrat. Më 27 mars 1999, tani i ndjeri Myrteza, së bashku me babanë e tij Skënder Dylhasi, me gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinjët e familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u morën nga forcat serbe, nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.

Identifikimi i mbetjeve mortore vjen pas më shumë se dy dekadash pritje për familjen Dylhasi, ndërsa institucionet vazhdojnë procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.