Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komunat e Kosovës kanë arritur të realizojnë rreth 70 për qind të buxhetit të tyre për investime kapitale, duke treguar efikasitet dhe përkushtim në menaxhimin e financave publike.

Sipas Ibrahimit, ky nivel i lartë i realizimit tregon se qeverisja lokale po dëshmon rezultate të prekshme në terren përmes ndërtimit të shkollave, çerdheve, rrugëve dhe hapësirave publike që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Ai theksoi se, përkundër sfidave buxhetore dhe burokracisë, komunat po dëshmojnë përgjegjësi dhe vizion zhvillimor.


Në të njëjtën kohë, Ibrahimi ngriti shqetësimin se niveli qendror i qeverisjes – përfshirë ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit – nuk ka arritur të shpenzojë as 40 për qind të buxhetit të paraparë për investime kapitale, duke krijuar një kontrast të dukshëm me performancën e komunave.

“Ky kontrast tregon qartë një të vërtetë: qytetari fiton më shumë kur vendimmarrja dhe mjetet financiare janë më afër tij”, theksoi ai, duke shtuar se komunat po e përdorin buxhetin në mënyrë të drejtpërdrejtë për të mirën e qytetarëve.

Ibrahimi kërkoi që mjetet e pashpenzuara të nivelit qendror të ri-destinohen për mbulimin e pasojave financiare të kontratave kolektive në komunat e vendit, të cilat kanë krijuar një barrë të madhe buxhetore për pushtetin lokal. Sipas tij, pa këtë mbështetje, ekziston rreziku që disa komuna të përballen me vështirësi në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët.

Sipas AKK-së, rezultatet e deritanishme dëshmojnë se komunat po japin shembull pozitiv në menaxhimin e fondeve publike dhe se decentralizimi financiar mbetet një nga rrugët më efektive për zhvillimin lokal dhe mirëqenien qytetare. /Telegrafi/