Dy të rinj janë arrestuar këtë të enjte si të dyshuar për “Vjedhje të rëndë”, të kryer dy ditë më parë në Istog.

Sipas policisë, të dyshuarit janë M.H 24-vjeçar dhe K.V 22-vjeçar.


Të njëjtit thuhet se në fshatin Lubozhdë të kësaj komune, kanë thyer derën e garazhës së një personi dhe nga aty kanë vjedhur veturën “Passat”.

“Drejtoria Rajonale e Policisë nё Pejë, Stacionin Policor në Istog, me datë 23.01.2024, nga një dëshmitar është njoftuar se në fshatin Lubozhdë – Istog,  fqinjit të tij i është thyer dera e garazhës nga e cila ishte vjedhur vetura VW Passat ngjyrë hiri”, thuhet në komunikatën për media

“Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe ka kryer shikimin e vendit ngjarjes. Pas një pune intensive të hetuesve me datë  24.01.2024 janë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit: M. H. i lindur  2000 dhe K. V.  i lindur  2002. Vetura e vjedhur është konfiskuar dhe i është kthyer pronarit”.

Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër tё Prokurorit tё Shtetit dy të dyshuarit janë ndaluar për 48- orë. /Telegrafi/