Graham Potter është zyrtarisht përzgjedhësi i ri i ekipit kombëtar të Suedisë. Objektivi i tij kryesor është të rikthejë ekipin në Kupën e Botës që do të zhvillohet në verën e vitit 2026.

Emërimi i tij vjen pas fillimit zhgënjyes në kualifikueset e Botërorit, ku Suedia mori vetëm një pikë në katër ndeshje.


Si pasojë, federata vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin e mëparshëm, Jon Dahl Tomasson pas humbjes së dytë nga Kosova 0-1.

Potter do të marrë drejtimin e skuadrës nga e hëna, më 20 tetor. Marrëveshja e tij mbulon fazën aktuale kualifikuese dhe do të zgjatet automatikisht nëse Suedia arrin të kualifikohet në Kupën e Botës.



“Jam shumë i nderuar dhe i motivuar për këtë detyrë. Suedia ka lojtarë të shkëlqyer që luajnë në nivelet më të larta. Synimi im është të krijoj kushtet që ekipi të japë maksimumin për të arritur Botërorin", tha Poter.

Suedia nuk ka gjasa që nga Grupi B të kualifikohet, por do të tentojë ta bëjë këtë nga Play-Off ku do të jetë aty falë ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

50-vjeçari anglez njihet mirë me futbollin suedez, pasi gjatë viteve 2011–2018 drejtoi me sukses Östersunds FK, duke e çuar deri në garat evropiane.

Pas periudhës në Suedi, ai ka drejtuar klube si Swansea City, Brighton & Hove Albion, Chelsea dhe West Ham në Ligën Premier. /Telegrafi/

telegrafi sport app