Një person ka humbur jetën si pasojë e rrokullisjes së një traktori në Carralevë, Shtime.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt.


"Ju njoftojmë se me datën 16.09.2025, rreth orës 09:00, policia në Shtime ka pranuar një informatë për një incident të ndodhur në lagjen “Kastrati” të fshatit Carralevë, Shtime. Është raportuar për rrokullisjen e një traktori, ku si pasojë ka humbur jetën një person i moshës 45 vjeç. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtime", theksoi ai.

Veseli bëri të ditur se njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e rastit.

"Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdheruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion", tregoi Veseli.

Veseli shtoi se rasti është cilësuar "Hetim mbi vdekjen".