Historia e një nëne nga Gaza që lindi 2 fëmijë gjatë luftës: Nuk mund ta harroj tmerrin

Hadeel Al Gherbawi ishte 26 vjeç dhe shtatë muajshe shtatzënë kur filloi lufta në Gaza në tetor 2023.
Në kushte të paimagjinueshme urie, frike dhe zhvendosjeje të vazhdueshme, kjo grua e re jo vetëm që lindi djalin e saj Jawad, por gjithashtu mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi një djalë të dytë, Fares.
Historia e saj është një dëshmi e tmerreve me të cilat përballen nënat dhe gratë shtatzëna në Gazën e shkatërruar nga lufta, shkruan The Guardian.
Përpara luftës, Hadeel u përgatit me shumë kujdes për ardhjen në jetë të djalit të saj të parë.
Për shkak të shtatzënisë me rrezik të lartë, ajo vizitonte mjekun dy herë në muaj, bënte rregullisht ekografi dhe merrte vitamina.
"Më pëlqejnë detajet", tha ajo.
Duke jetuar në lindje të qytetit të Gazës, pranë kufirit me Izraelin, ajo vendosi t'u bashkohej prindërve të saj në perëndim që ditën e parë të konfliktit.
"Mendova se do të zgjaste vetëm disa ditë dhe do të kthehesha”, tha ajo.
Që atëherë, familja e saj është zhvendosur 13 herë dhe shtëpia që ndante me burrin e saj u shkatërrua.
Në fund të tetorit, rreth pesë javë para datës së lindjes, Hadeel e gjeti veten pranë një sulmi masiv izraelit në një pallat apartamentesh.
"Ndihej si një tërmet", kujton ajo.
Ajo iku në Spitalin al-Shifa, ku njerëzit e zhvendosur mbushnin çdo cep dhe përdorimi i banjës ishte pothuajse i pamundur.
"Nuk mund ta harroj tmerrin e asaj nate", kujton palestinezja.
"Nuk mund ta duroja erën. Isha shtatzënë. Ndihesha keq. Zoti i mëshiroftë ata që u vranë", shtoi ajo.
Hadeel dhe burri i saj vendosën se ishte më e sigurt të shkonin në jug për të lindur.
Në kampet e zhvendosjes, përdorimi i banjës mbetej një makth.
E frikësuar se nuk do të gjente dot transport nëse lindja do të shkonte natyrshëm, ajo u kërkoi mjekëve në Spitalin Nasser në Khan Younis t'i shkaktonin lindjen.
Ndërsa po lindte, një ndërtesë aty pranë u godit.
Në panik dhe kaos, ajo i kërkoi nënës së saj të kujdesej për të.
Ajo përshkruan ndjesinë e "frikës, frikës së padurueshme".
Pasi lindi Jawad, ajo u zhvendos në një apartament me qira, duke fjetur në një dhomë me 30 persona.
Gherbawi nuk mundi të gjente qetësues dhimbjesh për qepjet dhe e duroi dhimbjen në heshtje natën që të mos i zgjonte të tjerët.
Ajo beson se vuante edhe nga depresioni pas lindjes.
"Fytyra ime ishte e zbehtë, isha e dobët, e brishtë dhe flokët po më binin", tha ajo.
Disa muaj më vonë, ata u zhvendosën në një tendë.
"Ishte hera e parë që jetoja në një tendë. Rërë, insekte”, tha gruaja.
Ajo ishte vazhdimisht e shqetësuar se mos Jawad pickohej nga diçka dhe shpesh zgjohej natën për të kontrolluar nëse ai ishte gjallë, pasi dëgjonte histori për foshnje që ngrinin për vdekje.
Pastaj, kur Jawad ishte nëntë muajsh, Hadeel zbuloi se ishte përsëri shtatzënë.
"Në fillim u shokova dhe u mërzita. Si do të sjell një fëmijë tjetër në këtë botë ndërsa jetoj në një tendë", tha ajo.
Armëpushimi në janar 2025 solli një shkëndijë të shkurtër shprese.
Megjithëse ishte në tremujorin e parë të shtatzënisë, ajo këmbënguli të kthehej në veri drejt apartamentit të saj.
Ajo dhe burri i saj kaluan një natë të ftohtë në rrugë duke pritur që të hapej pika e kontrollit.
Më në fund arritën të ktheheshin në shtëpi.
Ata kaluan gjashtë javë atje, por më 18 mars, Izraeli e theu armëpushimin dhe ata u detyruan të iknin përsëri.
Shtëpia e tyre u shkatërrua më vonë.
Shtatzënia e dytë ishte shumë më e vështirë.
Uria, thotë ajo, ishte më e keqja. Kishte ditë kur ajo hante vetëm një kastravec.
I thyhej zemra kur shihte djalin e saj duke duke qarë për ushqim.
Sa herë që kishte ushqim, ajo i jepte pjesën e saj.
"Sulmet, mungesa e sigurisë, mungesa e privatësisë, të jetuarit në një tendë - të gjitha ishin të vështira, por uria ishte gjëja më e vështirë", tha ajo.
"Flije dhe qaje sepse ishe i uritur dhe nuk gjeje asgjë për të ngrënë”, shtoi Gherbawi.
Ndërsa afrohej data e lindjes, ajo u kthye në shtëpinë e prindërve të saj, pranë një spitali.
Një natë, ajo pati dhimbje lindjeje. Duke mos dashur t'i zgjonte të tjerët, ajo thirri një ambulancë përpara se të zgjonte nënën e saj.
Me dhimbje lindjeje që i ndodhnin çdo pesë minuta, ajo zbriti pesë kate sepse ndërtesa nuk kishte energji elektrike për ashensorin.
Disa minuta më vonë, në ambulancë, ajo lindi një djalë, Fares.
Fares peshonte vetëm 2 kilogramë, gjë që Hadeel ia atribuon urisë.
Kishte gjak në shtratin e saj në spital. Infermierja i tha se nuk kishte anestezi dhe se do të duhej ta qepte pa të.
Ajo thotë se "dhimbja ishte e padurueshme".
Meqenëse spitali kishte nevojë për një shtrat, e rraskapitur dhe me dhimbje, Hadeel duhej të ulej në një karrige.
Gjetja e transportit për t'u kthyer ishte e vështirë.
Më në fund gjetën një autobus që i çoi për një pjesë të rrugës. Pesë orë pas lindjes, Hadeel u kthye në apartamentin e prindërve të saj dhe u ngjit pesë kate deri në apartamentin e saj. /Telegrafi/

















































