LAJMI I FUNDIT:

Historia e hebrenjve që jetuan në shtëpinë e beut shqiptar ku fshiheshin 400 kilogramë flori!

Historia e hebrenjve që jetuan në shtëpinë e beut shqiptar ku fshiheshin 400 kilogramë flori!
Dodona, Solomoni dhe Iveta (San Paulo, 1985)

Natasha Ruli, ish-ekonomiste, kishte pasur gjithnjë një prirje të heshtur për letërsinë, por zgjodhi të ishte lexuese pasive derisa u bind që ta hidhte në letër historinë që kish dëgjuar e njëfarësoj jetuar. Edhe atë, siç ndodh në historinë e vërtetë që ajo vetë rrëfen në librin “Fisnikë të Heshtur”, fati e çoi në familjen Ruli, ku u njoh e u martua me njërin prej djemve të asaj shtëpie. Aty, prej të ëmës së të shoqit por edhe atij vetë, dëgjoi e përjetoi historinë e asaj familjeje bejlerësh që kishin fjetur mbi florinj e një ditë befas u ngritën “lypës”. Por, paralelisht me këtë, në rrënojat e ish-vilës së kuqe pranë Librit Universitar, ku patën jetuar, është edhe një histori tjetër. Ajo e hebrenjve që jetuan e u ushqyen me ta në fshehtësi për tri vjet, pa e ditur ç’i priste, pa ditur nëse ndonjërën prej atyre ditëve do të ishin ende gjallë. Për fundin e të gjithëve, Natasha e tregon në detaje historinë.

Shpresa dhe Martini

Na tregoni se si ratë në gjurmët e kësaj historie, që në libër thoni se të gjitha ngjarjet janë të vërteta …

Po, të gjitha ngjarjet janë të vërteta; kam ndryshuar vetëm disi emrat e personazheve. Ngjarjet kanë ndodhur në familjen e tim shoqi, kështu që janë të treguara të gjitha nga ajo që i ka përjetuar, vjehrra ime. Përpara komunizmit kanë strehuar një çift hebrenjsh në shtëpi.


Këtu zë fill historia?

Është edhe më e hershme se kaq. Prindërit e tim shoqi vinin nga një familje bejlerësh. Shpresa, që në libër mban emrin Diana, vinte nga një familje e madhe; i ati kish jetuar e punuar në Amerikë. Kur u kthye pati një martesë me një grua që për opinionin shqiptar ishte shumë e civilizuar dhe e ndau të shoqen, duke mbetur vetëm me një vajzë. Nuk kaloi shumë e beu u martua sërish. Gruaja e dytë solli me vete një djalë për të cilin beu u kujdes ta dërgonte në Itali, për të studiuar, në mënyrë që ta largonte edhe nga shtëpia për të evituar ndonjë marrëdhënie të mundshme me të bijën.

Por; nuk ia arriti. Djaloshi kthehej me pushime në çiflig për çdo verë dhe dashurohet me Shpresën, të bijën e beut?

Nuk ishte ndonjë e keqe e madhe, përderisa pronat do rrinin po aty … Jo, dhe në fakt nuk pati ndonjë kundërshti të madhe, pavarësisht se si fillim Aliu e kishte evituar edhe për shkak të moshës së të dy të rinjve. Ra dakord që ata të martoheshin, edhe sepse pronat do të mbeteshin aty, brenda familjes. Por, djali, pasi kishte përfunduar studimet, kishte nisur punë në Akademinë ushtarake në Itali, çka ishte shumë për një student shqiptar, kështu që si fillim jetuan atje, derisa Shpresa ia arriti të kthehej në Shqipëri bashkë me të pas gjithë këmbënguljeve. Ndihej vetëm atje, ndërkohë që ishte mësuar të jetonte mes gjithë të mirave këtu.

Rikthehen, ku?

Në Tiranë. Pranë Librit Universitar. Aty ky është ndërtuar sot një qendër biznesi ka qenë një vilë e kuqe të cilën beu e bleu për të bijën. Çifti i ri nisi të jetonte aty. Ishte vit 1941, koha kur në Shqipëri kishin ardhur shumë hebrenj, dy prej të cilëve beu i kishte marrë për t’i fshehur në çifligun e tij, në Lushnjë. Por, meqë atje po jetonin si të izoluar, i propozoi të bijës së sapokthyer që t’i sillte në Tiranë, meqenëse edhe shtëpia kishte vend boll. Shpresa mund të kalonte kohë me Dodonën, ndërsa burrat mund të fjaloseshin bashkë, meqenëse flisnin të dy shumë mirë italisht. E kështu ndodhi …

Si kishte mbërritur deri në Shqipëri çifti hebraik?

Ata ishin një çift i ri me një vajzë të vogël. E gjithë familja e tyre ishte internuar dhe kishin dëgjuar se Shqipëria ishte një vend i mirë për të qëndruar, nuk do t’i ngacmonte kush. Dhe, në fakt janë mbajtur mirë, nuk i ka dorëzuar njeri. Sado që vinin edhe për kontroll nëpër shtëpia, i lëviznim, i fshihnim. Edhe komshinjtë përreth e dinin se në cilën familje mund të kishte, por nuk tregonin.

Për sa kohë jetuan aty?

Për gati tri vite.

Derisa ranë në gjurmë të ndryshimeve që po vinin …

Ishte ende kohë lufte, por ndryshimet ishin të dukshme për të gjithë. Ata po diskutonin shpesh për t’u larguar, sado që terreni dukej i vështirë, e në këto diskutime ushtarët ranë në gjurmë të tyre e i kapën. Aliu, beu, arriti t’i nxjerrë e t’i sjellë sërish në shtëpi duke paguar për ta monedha floriri. Pas kësaj vendosën të largohen duke thënë se, edhe nëse na kapin, më mirë të vdesim nga gjermanët sesa nga komunistët. Shpresa kujtonte gjithnjë se sa herë i patën thënë edhe atyre të largoheshin për Itali, por ata nuk lëviznin. Ama, meqenëse nuk e dinin se ç’i priste, vajzën e vogël e lanë aty. Kur u larguan nga shtëpia, bashkë me të bijën lëaë edhe një qese me xhevahire. “Nëse ne nuk ia dalim të jetojmë, do të të mjaftojnë për të rritur vajzën”. Me këto fjalë u larguan.

Ia dolën të mbijetonin?

Pasi kishte kaluar kohë pa marrë asnjë lajm, në shtëpi u trokiti një tregtar çifut, i cili solli një letër. Në të tregoheshin gjithë peripecitë e udhëtimit, rrugët e gjata që kishin bërë në këmbë a në det për ditë të tëra duke paguar për t’i fshehur. Përmes maleve kishin arritur të shkonin deri në Jugosllavi; kishin ngelur pesë ditë në mes të detit derisa kishin arritur në Brazil. Meqenëse ishin sistemuar, Dodona në letër kërkonte edhe vajzën për të cilën thoshte se nuk do të kishte mbijetuar po të kish udhëtuar me ta atëherë. Shpresa ia jep vajzën tregtarit bashkë me qesen e xhevahireve që as nuk e kishte hapur.

Domosdo, i mjaftonin të sajat …

Jo për shumë kohë, më 1946, beun vijnë dhe e marrin dy ushtarë, të cilët i kërkojnë përgjigje se ku i kishte fshehur florinjtë. Ai nuk pranonte të tregonte, me pretendimin që po i paguante të gjitha detyrimet shtetit. E morën në hetuesi, e rrahën dhe arritën t’ia nxjerrin të fshehtën e vendndodhjes së florinjve pasi e kërcënuan për jetën e fëmijëve, sepse ai vetë duhet të kishte arritur drejt fundit, përderisa nuk doli më prej aty.

Vdiq në hetuesi?

Po, nga torturat e të rrahurat vdiq, por askush nuk e pa as trupin, as mori vesh më shumë. Na thanë vetëm se vdiq nga pleqëria dhe asnjë shpjegim më shumë.

Po florinjtë, çifligu, pasuritë?

Pasi e kërcënuan me jetën e fëmijëve, tregoi se kishte 400 kilogramë florinj të betonuar në stallën e kuajve. Natyrisht që i morën të gjitha bashkë me shtëpi, çiflig, e gjithë ç’kishte.

Me pjesëtarët e tjerë të familjes çfarë ndodhi?

Së pari mbetën të gjithë pa asnjë të ardhur, gjë që as e kishin provuar e as e kishin menduar kurrë më parë. Pak kohë më vonë, Shpresës vijnë i marrin edhe të shoqin në shtëpi, duke e akuzuar si spiun të italianëve. I përzunë nga vila ku jetonin dhe i çuan në një dhomë. Për të jetuar Shpresa nisi të shiste një e nga një ato pak bizhuteri që kishte arritur të ruante, me çmime fare qesharake. Shiti kristalieret, mobiliet, gjithçka që mundej. Ishte pikërisht kjo kohë krize, kur kishte prekur fundin, kur vjen një pako nga Dodona. Kishte në të mish, çokollata, ushqime nga të gjitha. Të gjitha këto ishin shumë tashmë në sytë e saj që kishte mbetur e vetme me të shoqin në burg. Nuk zgjati shumë as kjo, sepse pas një viti merr vesh që të shoqin do ta nxirrnin nga burgu.

Me ç‘arsye?

Kishte qenë në të njëjtën shkollë me Mehmet Shehun në Itali. Ky i fundit, pasi i kishte parë emrin, kishte kërkuar ta nxirrnin, duke thënë se Metin Ruli në burg është një hiç, jashtë mund të bëjë mrekullia. Por, e gjithë kjo, natyrisht, me kusht që të ishte gjithnjë në shërbim të tyre. Dhe, kështu ndodhi: e shkoi jetën të gjithën në punë; ishte përherë në udhëtim si inxhinier nëpër ndërtimet që bëheshin në gjithë Shqipërinë. Kthehej në shtëpi vetëm të shtunë e të diel.

Me çiftin hebraik ishin më në kontakt?

Po, pas pakos që dërguan, Dodona niste gjithnjë letra. Edhe Shpresa ia kthente, i tregonte se si i kishte marrë jeta, por këto letra nuk i shkonin. Sipas asaj që mësoi më vonë, i shkonin vetëm ato ku i thoshte se ishte mirë, jetonin të lumtur, duke e ditur se të gjitha kalonin në skaner. Në vitet 1970, bashkë me letrën e radhës, Dodona i dërgon edhe një ftesë dasme: martohej Iveta, vajza e vogël që i patën lënë dikur. Natyrisht që nuk kishte asnjë mundësi për të shkuar në Brazil; as që mund ta çonte njeri nëpër mend. Kështu kaluan vitet, Metini në punën e tij të përhershme në udhëtim e Shpresa me fëmijët qepte në shtëpi. Deri sa më 1979-n troket dera e Shpresa lajmërohet se dy turistë të huaj kërkonin që ta takonin në Hotel Dajti. Ishte Dodona me të shoqin që kishin ardhur si turistë enkas për t’i takuar në një udhëtim fare të shkurtër. Ata të dy, tashmë tregtarë të zotë në Brazil, të mirëmbajtur e në kushte shumë të mira, nuk e njohën vajzën e dikurshme me duart gjithë xhevahire që sot ishte transformuar në një plakë të vuajtur. Afrohet e u flet vetë. Për ta ishte e pabesueshme, sepse në të gjitha letrat që u shkonin, thuhej se ishte shumë mirë e jetonin të lumtur. Po nuk ishte e mundur të ankohej, sepse ishin në çdo moment të vëzhguar nga sigurimi.

Gjithsesi, njëfarësoj e morën vesh të vërtetën. Ishin këta që kishin nevojë për ndihmë tashmë …

Po patjetër, sepse panë edhe situatën në Shqipëri, jo vetëm gjendjen e Shpresës. Kur u larguan, i lanë gjithë paratë që kishin me vete: dy mijë dollarë, dhe valixhen me rroba. Dollarët domosdo që u kthyen me kursin më të ulët, por gjithsesi ishte një e ardhur. Ky ishte takimi i fundit i Shpresës me ta, sepse në vitin 1982 ajo vdiq. Bashkë me telegramin e ngushëllimit, ata dërguan sërish një çek me dy mijë dollarë.

Pas vdekjes së Shpresës u lidhët më me ta? Pak vite pas 1982-shit, kush nuk do donte të kishte miq jashtë …

U lidhëm, po, në vitet 1990, por tashmë me të bijën, Ivetën, sepse prindërit e saj kishin vdekur. Ajo u tregua shumë e gatshme të na merrte në Brazil, madje insistoi dhe na bëri garancinë. E kishim lënë që do të vinte të na merrte në Vjenë, por aty erdhi vetëm një telegram ku thoshte se në një aksident të papritur Iveta kishte humbur djalin, prandaj nuk kishte asnjë mundësi të vinte. Bashkë me të ishte edhe një çek që sigurisht na shërbeu për t’u sistemuar vetë, për t’u përpjekur të ndërtojmë diçka. Mbrapa nuk kishim ku të ktheheshim. Kështu që ishim njëfarësoj ata që morëm rrugën e që sot prej më shumë se 20 vjetësh jetojmë aty.

Duket gati si histori filmash …

E tillë është. Fakti që ishte kaq e pazakontë më bëri edhe të shkruaja libra pasi, përveç pasionit për të lexuar, nuk kam ndonjë lidhje me letërsinë. Ishin kaq vite që doja ta shkruaja, ta ndaja me të tjerë këtë histori kaq të pazakontë, prandaj edhe e shkrova. /UG/