LAJMI I FUNDIT:

Dështimi për rehabilitimin e të burgosurit që tronditi Ferizajn, theri me thikë katër persona tri javë pasi u lirua nga burgu

Dështimi për rehabilitimin e të burgosurit që tronditi Ferizajn, theri me thikë katër persona tri javë pasi u lirua nga burgu

Publiku në Kosovë u trondit nga lajmi se katër persona, prej të cilëve dy fëmijë u therën me thikë në qytetin e Ferizajt.

Sulmi, i cili u cilësua si ‘sulmi racist’ ishte i drejtuar ndaj katër qytetarëve – me përkatësi kombëtare ashkali.

Një hulumtim i Kallxo zbardh, si personi që dyshohet se kreu krimin ishte liruar nga burgu, tri javë para ngjarjes.


Të dhëna tregojnë se i dyshuari kishte qëndruar në burg për më shumë se 17 vjet, ndërkaq, nuk kishte ndjekur programe të rehabilitimit.

F. I. është i njohur për vepra penale. Ai kishte mbajtur një dënim plot 17 vjet, për një vepër penale: atë të vrasjes së rëndë. E, menjëherë, pas përfundimit të dënimit të parë, ai i ishte nënshtruar edhe dënimit të dytë – kësaj radhe për Kanosje.

Brenda institucioneve, në të cilat qëllim primar është: rehabilitimi, risocializimi e ri-integrimi…, F. I. nga disa programe të ndryshme që ofrohen, kishte marrë pjesë vetëm në atë të punës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka thënë Kallxo.com se F. I., nuk kishte pasur sjellje të mira, brenda institucioneve korrektuese – në të cilat kishte qëndruar. Dhe, për shkak të kësaj situate, ai nuk kishte përfituar as lirimin me kusht – ndonëse, kishte bërë një Kërkesë të tillë.

“Ai është liruar pas përfundimit të plotë të dënimit të tij. Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore, që e obligon SHKK-në ta mbajë një person të dënuar, pas përfundimit të dënimit – edhe nëse risocializimi i plotë nuk është arritur” – thuhet në përgjigjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës, për Kallxo.com, më 18.11.2024.

Gjatë 18 vjetëve sa F. I. kishte qëndruar brenda burgjeve, kishte marrë pjesë vetëm në Programin e Punës.

“I dënuari F. I. ka marrë pjesë vetëm në Programin e Punës. Shërbimi Korrektues i Kosovës angazhohet, maksimalisht, që përmes mekanizmave të saj të përmbushë rolin e korrektimit dhe risocializimit të personave të dënuar – përmes programeve rehabilituese, aftësimeve profesionale, arsimimit, programeve të punës; si dhe, aktiviteteve sportive dhe kulturore” – thuhet, në përgjigje, tutje.

Sipas tyre, pjesëmarrja e të dënuarve, në programe rehabilituese dhe aftësime profesionale, është vullnetare.

F. I. ka qenë në mbajtje të dënimit nga: 25.12.2006 deri më 25.10.2023, në Qendrën Korrektuese të Dubravës, për ‘Veprën Penale të Vrasjes së Rëndë. Pas kësaj, nga 25.10.2023 deri më 25.10.2024, ka vazhduar mbajtjen e dënimit, prej një vjet, për: ‘Veprën Penale të Kanosjes’.

Ndonëse, sulmi me thikë që ndodhi, më 11.11.2024, në qendër të Ferizajt, kishte një cak për të sulmuar disa pjesëtarë të komunitetit ashkali, F. I., sipas Dosjeve që ka SHKK, nuk kishte përmendur asnjëherë se mund të arrinte të bënte ndonjë vepër të tillë.

“Nuk kemi pasur asnjë deklaratë apo informacion të tillë, që tregon se i dënuari, posa të lirohet, do të kryejë veprime të tilla” – thuhet, tutje, në përgjigje.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, vlerësimi i të dënuarve bëhet gjatë gjithë kohës sa ata janë në ekzekutim të dënimit – duke përfshirë edhe ‘nivelin e risocializimit’.

“Shërbimi Korrektues, me rastin e lirimit të çdo të dënuari, njofton Gjykatën Kompetente dhe Policinë e Kosovës. Për rastet, kur të dënuarit lirohen ‘me kusht’ bashkëpunon dhe njofton Shërbimin Sprovues” – thuhet, tutje, në përgjigje.

Sfida e programeve vullnetare të rehabilitimit

Në Kosovë, janë dizajnuar Programe të Rehabilitimit të të Burgosurve, përfshirë të burgosurit e përfshirë në krimet e urrejtjes.

Mirëpo, drejtues të burgjeve, në vazhdimësi, e kanë konsideruar si ‘sfidë’, faktin se programet janë vullnetare.

Në një bisedë, për Kallxo.com, drejtori i Burgut të Dubravës, Sami Gashi pati potencuar se ‘të gjitha Programet e Rehabilitimit kryhen në baza vullnetare”.

Sipas këtij modeli, vetëm të burgosurit që dëshirojnë të hyjnë në programet e rehabilitimit përfitojnë nga to.

Në Programet e Rehabilitimit të SHKK-së, bëjnë pjesë: mbështetja psikologjike, psikiatrike, menaxhimi i zemërimit dhe programet e tjera trajnuese. Mirëpo, hulumtimet tregojnë se jo të gjithë të burgosurit shprehin vullnet të përfshihen në to.

‘Trauma e Komunitetit’

‘Sulmi me Bazë të Urrejtjes’ ka krijuar trauma, në komunitetin e Ferizajt. Në lagje, është e dukshme që, kalimtarët e panjohur shikohen me sy tjetër, nga njerëzit.

Nga pak frikë, e në shprehje vërehet dukshëm heshtje, krejt si pasojë e asaj çfarë ndodhi ditë më parë, ndaj katër qytetarëve joshumicë – në po ato udhë.

“Prej të martës, gati krejt mëhalla po i çojmë e po i marrim fëmijët prej shkolle” – thotë një prind, në fund të njëzetave, pasi ndahet, prej një turme burrash para një kafeneje – ku po mbahej një e pame.

“Jo, është vdekë me rend” – shton burri, që nuk dëshiron të identifikohet, teksa flet për tronditjen që e ka shkaktuar therja me thikë e katër pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, në pasditen e 11 nëntorit, në tri lokacione të ndryshme, në Ferizaj.

Sulmuesi, F. I. është dorëzuar në orët e hershme të 12 nëntorit dhe Gjykata më pas ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim prej 30 ditësh, për: ‘therjen e dy vajzave të mitura nga Podujeva, një burri nga Ferizaj dhe një shtetasi nga Shqipëria’.

Teksa rasti ende gjendet në procedura, ky sulm i ka trembur qytetarët e tjerë, që i përkasin komuniteteve joshumicë. Ani pse, raste të tilla të sulmit me bazë etnike nuk kanë ndodhur, në dy vjetët e fundit – sipas të dhënave zyrtare, nga Prokuroritë Themelore.

“Ngriti panik, me të thanë të drejtën”

“Ngriti panik, me të thanë të drejtën, sepse fëmija nuk mujshin me kuptu pse ka ardhë deri te qajo” – thotë Rexhep Bajrami, udhëheqës i Zyrës për Komunitete, në Komunën e Ferizajt dhe banor i Lagjes Multietnike – ku ka edhe Shkollën e vet Multietnike të Karatesë, prej së cilës ka dalë edhe një Kampione Europe për të reja.

Prokuroria, në Ferizaj, ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se sulmi u krye ‘me dashje’, për shkak të përkatësisë etnike të viktimave.

“I ka sulmu për shkak të ngjyrës. Dy motrat, çika të motrës të kunatës tem nga Podujeva, ashkalike, ky djali i ‘Sallahanes’ egjiptian, dhe ai tjetri atje te ‘Rruga e Gilanit’, rom i Shqipërisë. Krejt ma….” – thotë Naser Emini, para dyerve të përbashkëta të vëllezërve, në rrugën “Rifat Berisha”, ku u sulmuan të miturat. “…krejt ngjyrën e fytyrës…ma zeshkana” – thotë Emini, i cili, me familjarë, i kishte dërguar të miturat në Spitalin e Ferizajt.

Raporti policor ka treguar se F. I. sulmin e parë, me thikën e markës “Berlinger House” e kishte kryer përgjatë rrugës “Enver Topalli”, rreth orës 15:05 minuta, pastaj të dytin në 15:30, ndaj vajzave në rrugën që lidhet me të – të njohur në Ferizaj, si: “Rruga e Gremës”. Dhe të tretin, ndaj shtetasit nga Shqipëria, në 15:53, në “Halim Spahiu”, në anën e kundërt të qytetit – derisa i sulmuari dhe babai i tij po mblidhnin kanaçe, në një kontejner mbeturinash.

“I ka dalë prapa dhe ia ka ngulë thikën e ka ec” – thekson një pronar biznesi, i cili nuk dëshiron të identifikohet – e, që e kishte parë me sytë e tij dhe e kishte njoftuar Policinë.

“Ky është një reagim i natyrshëm…”

Bajram Ilazi, aktivist ashkali nga komuna e Shtimes, por që ka punuar me OJQ të ndryshme edhe në Ferizaj, Lipjan e Prishtinë, thotë se sulmi i fundit ka treguar se: ‘pavarësisht përparimeve me përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë, racizmi vazhdon të mbetet problem serioz për shoqërinë kosovare’.

“Komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë – që nga paslufta – kanë kaluar frikën e pasigurisë dhe të lëvizjes së lirë, sepse janë qytetarë të këtij vendi për shekuj me radhë. Megjithatë, kur ndodhin raste, ku këto grupe specifikisht targetohen, ato mund të krijojnë shqetësim dhe frikë” – thotë Ilazi, i cili punon në organizatën ‘Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve’.

“Ky është një reagim i natyrshëm për secilën kategori të shoqërisë, kur e di që mund të bëhesh objekt i një sulmi” – shtoi Ilazi.

Prokuroria Speciale ka thënë, për Kallxo.com, se, bazuar në ‘Shënimet’ për vitet 2023-2024, nuk ka pranuar ose zgjidhur raste të sulmeve me bazë të përkatësisë etnike ndaj qytetarëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.

‘Sulme me motive etnike’ ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve nuk ka pasur, së fundmi, as në rajonin e Mitrovicës, as të Prizrenit, Gjakovës dhe Gjilanit, kanë bërë të ditur Prokuroritë Themelore të këtyre qyteteve.

Por, njësoj nuk haset edhe në Ferizaj. Pasi që, Rasti i 11 nëntorit ka bërë që të jetë i vetmi, në këto dy vjetët e fundit.

“Duke iu referuar Kërkesës suaj për të dhëna ndaj sulmeve me bazë përkatësinë etnike, ju njoftojmë se, sipas evidencave, të shkrimores së Prokurorisë Themelore, në Ferizaj, në dy vjetët e fundit, është vetëm një (1) rast: konkretisht, Rasti i 11 Nëntorit 2024, të sulmit me thikë, në qytetin e Ferizajt, ndaj katër personave” – ka njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, për Kallxo.

Në trend Lajme

Më shumë
Tragjedia në Çubrel të Skenderajt - arrestohet polici që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona

Tragjedia në Çubrel të Skenderajt - arrestohet polici që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona

Lajme
IPK jep detaje për aksidentin me fatalitet në Skenderaj, u shkaktua si pasojë e humbjes së kontrollit të veturës nga polici

IPK jep detaje për aksidentin me fatalitet në Skenderaj, u shkaktua si pasojë e humbjes së kontrollit të veturës nga polici

Lajme
I mituri rrëfen ngacmimin seksual nga 45-vjeçari: Më ka thënë hajde me mua, do të jap para, do të çoj këtu...

I mituri rrëfen ngacmimin seksual nga 45-vjeçari: Më ka thënë hajde me mua, do të jap para, do të çoj këtu...

Lajme
Sulmi ndaj KFOR-it, prokuroria rekomandon dy vjet burgim dhe 9 mijë euro gjobë për serbin Marko Dantiq

Sulmi ndaj KFOR-it, prokuroria rekomandon dy vjet burgim dhe 9 mijë euro gjobë për serbin Marko Dantiq

Drejtësi
Gërvalla pasi e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, reagon OVL e UÇK-së

Gërvalla pasi e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, reagon OVL e UÇK-së

Lajme
Nis gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, deklarohet Naim Murseli

Nis gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, deklarohet Naim Murseli

Lajme
Kalo në kategori