Hidaim Rama: Do të jem përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Hidaim Rama ka thënë se do të përpiqet që të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim, pasi sipas tij qytetarët e vendit tonë kanë nevojë për një përfaqësim gjithëpërfshirës, sepse përtej preferencave politike, brenga dhe hallet e tyre janë të njëjta.
Rama përmes një shkrimi ka thënë se "Kosova është një zonë zgjedhore dhe për këtë arsye mendoj se edhe përfaqësimi i qytetarëve në Kuvend nga deputetët e zgjedhur duhet të bëhet pa dallime rajonale, por duke i shërbyer një interesi të përbashkët të qytetarëve tanë".
Shkrimi i plotë:Të dashur qytetarë të vendit tim, Si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të përpiqem të jem përfaqësues i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim, pasi konsideroj se qytetarët e vendit tonë kanë nevojë për një përfaqësim gjithëpërfshirës, sepse përtej preferencave politike, brenga dhe hallet e tyre janë të njëjta. Kosova është një zonë zgjedhore dhe për këtë arsye mendoj se edhe përfaqësimi i qytetarëve në Kuvend nga deputetët e zgjedhur duhet të bëhet pa dallime rajonale, por duke i shërbyer një interesi të përbashkët të qytetarëve tanë. Pa dashur të kthehem shumë në të kaluarën, sepse mendoj se ardhmja është gjithmonë më e rëndësishme, dua të theksoj se qysh nga kohërat e luftës kur u jam bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam konsideruar se një veprim i tillë imi nuk është asgjë tjetër përveç se një shërbim ndaj atdheut dhe qytetarëve të vendit tim, sepse konsideroj se çdo qytetar duhet t’i shërbej vendit të tij në një mënyrë apo në një tjetër. Pasi kisha kryer një shërbim të tillë, pas luftës i jam kthyer jetës civile duke e jetuar jetën e një qytetari të zakonshëm dhe duke përjetuar po të njëjtat vështirësi që i përjetonin qytetarët e vendit tim.















































