Hidaim Rama: Do të angazhohem t'i mbështes nismat legjislative dhe politikat publike në fushën e inovacionit

Kandidati për deputet i PDK-së, Hidaim Rama ka thënë se do të angazhohet që t’i mbështes të gjitha nismat legjislative dhe politikat publike të qeverisë që kanë për qëllim nxitjen dhe shtytjen përpara të aktiviteteve në fushën e inovacionit, të teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit
"Në Programin Qeverisës të PDK-së një vëmendje e theksuar i është kushtuar pikërisht mbështetjes së të gjitha atyre nismave që çojnë në promovimin e teknologjive më të avancuara në të gjitha ato fusha që kanë ndikim të fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës dhe të shërbimeve për qytetarët e vendit tim", ka shkruar Rama.
Postimi i plotë:Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Pikënisja çdo kontributi tim politik si deputet i ardhshëm i PDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbështetet në kualifikimet e mia profesionale. Jam i bindur që secili individ dhe njëkohësisht secili politikan, kontributin më të madh që mund ta japë në dobi të qytetarëve e bën duke u nisur nga aftësitë që i ka fituar nëpërmjet edukimit profesional. Zhvillimi profesional i individit është parakusht që në angazhimet e ndryshme profesionale e politike të mos ketë improvizime të rastit, por që kontributi i secilit të mbështetet në dijen profesionale të fituar nëpërmjet edukimit dhe arsimimit formal. Në këtë kuptim, nëpërmjet veprimtarisë sime politike do të angazhohem që t’i mbështes të gjitha nismat legjislative dhe politikat publike të qeverisë që kanë për qëllim nxitjen dhe shtytjen përpara të aktiviteteve në fushën e inovacionit, të teknologjisë së informacionit dhe të telekomunikimit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që sot po jetojmë në një botë digjitale dhe se teknologjia e re ka fituar shtrirje në të gjitha fushat e jetës. Prandaj, çdo qasje inovative që promovohet dhe që mbështetet nëpërmjet politikave publike dhe çdo progres që arrihet në fushën e teknologjisë gjen shtrirje në shumë fusha dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror.






















































