LAJMI I FUNDIT:

Heroi i panjohur i klasës punëtore, frymëzim për krijuesit e sotëm

Heroi i panjohur i klasës punëtore, frymëzim për krijuesit e sotëm

Një 17-vjeçar, që “s’mund ta gjente Spanjën në hartë”, eci nëpër Pirineje për t’ju bashkuar luftëtarëve të lirisë në Luftën Civile Spanjolle. Sean Cooney nga treshja e folkut anglez, grupi The Young’uns, rrëfen për jetën jashtëzakonshme të Johnny Longstaffit dhe se pse ai e frymëzoi albumin e tyre të fundit, transmeton Telegrafi.

Nisi gati katër vjet më parë, në Clevedon. Ishim në qytetin bregdetar të Somersetit për një koncert. Pas shfaqjes, një burrë u afrua. Njerëzit shpesh e bëjnë këtë e ne kemi dëshirë t’i dëgjojmë reagimet e tyre ndaj këngëve tona. Ai u prezantua si Duncan dhe na i dha dy copa letre.


Njëra ishte nga vitet 1930, e një të riu që shiste gazetat në një cep të rrugës. “Ky është baba im”, tha ai. E dyta ishte një listë. “Kjo është ajo që bëri”. E lexoi atë si një listë të luftës së klasës punëtore të shekullit XX. Marshet e protestës, dëmtimet masive të pronave të kapitalistëve, Beteja në Rrugën Cable Street, udhëtimi në Spanjë për luftuar kundër fashistëve…

Për shkak se ne tre të grupit kemi vendlindjen e njëjtë si babai i tij (Stockton-on-Tees) dhe për shkak se ne do të këndonim për luftën kundër fashizmit, Duncan shpresonte që mund të frymëzohemi që ta bëjmë një këngë për babin e tij, Johnny Longstaff.

Na u duk se e zbuluam një hero të harruar të klasës punëtore. Por, donim të dinim më shumë.

Duncan na bombardoi me thesare nga jeta e babait të tij. Biblioteka e Luftës Civile të Spanjës, e Johnny Longstaffit, mbërriti në derën time, me emrin dhe gradat e shkruara me kujdes brenda çdo kopertine dhe me margjinat me “korrigjime” të mllefit: “Kjo nuk ndodhi – isha atje!”

Herën tjetër erdhën memoarët e papublikuara, përfshirë tregimet e fëmijërisë së varfër në Stockton: imagjinoni të jeni aq i uritur sa të vidhni qirinj nga një kishë e t’i hani.

Pak para se të vdiste, Johnny e kishte regjistruar historinë e tij në Muzeun e Luftës Perandorake. I dëgjuam kasetat. U magjepsëm. U bë e qartë se një këngë nuk do të ishte e mjaftueshme.

U zhytëm në botën e Johnnyt në vitet 1930, duke lexuar librat që lexonte dhe duke dëgjuar këngët që këndonte. Zbuluam shumë gjëra që nuk i dinim – se ka pasur shumë marshe, se studentët në Cambridge hidhnin vezë te protestuesit, se si shumë heronj të Lëvizjes së Punës shkuan në Spanjë (p.sh. kampion olimpik Lewis Clive, që e frymëzoi veprën “The Camomile Lawn” nga Mary Wesley, ishte bashkë me Johnnyn në Betejën e Ebros ku ai vdiq).

Si shumë muzikantë, jemi frymëzuar nga Radio Baladat e viteve 1950 nga Charles Parker, Ewan MacColl dhe Peggy Seegeri; nga dokumentarët që nxjerrin këngët origjinale dhe dëshmitë e klasës punëtore. Pse të mos e bëjmë të njëjtën gjë me historinë e Johnnyt, duke përdorur thirrjen e tij dhe këngët tona për të krijuar diçka ndryshe nga ajo që kishim bërë më parë.

Pjesa u zhvillua shpejt në një narrativë, sesi një djalë 17-vjeçar nga veriu i Anglisë, i cili “as nuk e dinte se çfarë është seksi ” dhe i cili “nuk mundte ta gjente Spanjën në hartë”, ishte i përcaktuar të sfidojë kërkesat e qeverisë së tij dhe të luftojë për demokraci në një vend të huaj. Ai nuk ishte vetëm. Më shumë se 2,500 burra dhe gra nga Britania dhe Irlanda gjithashtu zgjodhën të luftonin në atë që shumëkush e sheh si pararendësja e Luftës së Dytë Botërore.

Ne dëshironim të portretizonim njerëzit e thjeshtë të rrugëtimit të Johnnyt dhe të tregojmë se politika e tij radikale nuk ka lindur nga ideologjia, por nga shtypja dhe varfëria.

Johnny ishte i vendosur të bënte fushatë për barazi meqë ishte dëshmitar i hendekut të madh midis të pasurve dhe të varfërve. Ai ishte i vendosur ta luftonte fashizmin pasi takoi refugjatët hebrenj nga Gjermania naziste dhe pasi ishte e tmerruar nga tregimet e tyre. Kaloi ilegalisht në Paris dhe nëpër Pirineje për t’iu bashkuar Brigadës Ndërkombëtare. U plagos tri herë (një herë i verbuar përkohësisht) dhe ishte shumë me fat që u kthye i gjallë.

Vetëm pak javë pasi u kthye, në verën e vitit 1939 shkon në Westminster ku takllon deputetin e tij lokal. Winston Churchill kaloi dhe Johnny iu prezantua si një ushtar i ri socialist i porsakthyer nga Spanja. Churchilli e ka parë me dyshim atë 19-vjeçar, ndaj e pyet: “A do të ishin burrat si ju të gatshëm për ta luftuar Hitlerin?” “E kam luftuar Hitlerin gjithë jetën time”, u përgjigj Johnny.

Në ditën e parë të Luftës së Dytë Botërore, Johnny shkoi për t’u regjistruar, por u refuzua pasi kishte luftuar në Spanjë. Ai nuk u dorëzua dhe u bë rreshter; luftoi në El Alamein dhe Monte Cassino, dhe u shpërblye për trimëri. Pas luftës, u martua me Paulinen, ngriti familje dhe punoi si shërbyes civil. Fëmijëve u ka folur për luftën, por jo edhe për tmerret e vërteta të saj.

Në fillim të vitit 2018, historia dhe 16 këngë ishin gati. E bëmë një shfaqje muzikore që futi publikun në botën e Johnnyt. Fotot dhe prerjet e gazetave janë projektuar në një sfond. Një kopje e një gazete revolucionare ishte në çdo ulëse dhe zëri i Johnnyt vinte nga një radio e stilit të viteve 1930.

Turneu ynë i parë përfundoi në Stockton-on-Tees, pothuajse 100 vjet pasi Johnny kishte lindur. Tre breza të familjes ishin në rreshtin e parë. Në fund të shfaqjes i vumë në pah dhe publiku u ngrit për t’i përshëndetur. Të gjithë qamë.

Pas kësaj shfaqjeje, na u afrua një tjetër për bisedë. “Duhet të kenë qenë mijëra të tjerë si Johnny Longstaffs atje, historitë e të cilave kurrë nuk do të dëgjohen,”, tha ai. Kjo është e vërtetë, por shpresoj që Johnny mund të flasë për ta. Unë mendoj se është i lumtur për këtë. /Telegrafi/