LAJMI I FUNDIT:

​Haxhiu: Spitalet në limitin e fundit para kolapsit, MSH të bëjë rifreskimin e stafit

​Haxhiu: Spitalet në limitin e fundit para kolapsit, MSH të bëjë rifreskimin e stafit

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se spitalet janë në limitin e fundit para kolapsit.

Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se dhomat e pacientëve të infektuar me koronavirus janë të mbushura me familjarë e edhe korridoret janë të mbushura me civilë e familjarë të pacientëve.


Haxhiu po ashtu i ka propozuar ministritë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të bëhet rifreskimi i stafit duke angazhuar edhe vullnetarë.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Haxhiut:

Vërtetë jemi të çuditshëm!

Edhe në këtë situatë alarmante të përhapjes së virusit, jemi të pavetëdijshëm se çfarë mund të na sjellë e nesërmja.

Spitalet tona janë në limitin e fundit para kolapsimit.

Pas më shumë se 8 muaj punë intenzive stafi mjekësor dhe ai mbeshtetës është i stërlodhur.

Ka probleme substanciale organizative, profesionale , shëndetësore dhe të menaxhimit të situatës.

Klinikat me COVID-19 janë shëndrruar në vatra kryesore të përhapjes së coronavirusit.

Dhomat e pacientëvetë të infektuar me coronavirus janë të mbushura me familjarë, po ashtu koridoret përplot me civilë e familjarë të pacientëve. Në këto koridore nuk mund të gjesh as edhe një sterilizues, nuk ka as aparata për dezinfektim. Po ashtu nuk ka vi ndarëse me ambientet e kontaminuara dhe kjo rezulton me përhapje të virusit nga klinikat.

Institucionet siç është p.sh. Kuvendi i Kosovës dhe të tjerët që i kanë vendosur kabinat dezinfektuese në hyrje të objektit le t’i dhurojnë ato për klinikat me COVID-19.

Propozoj që MSH të bëjë rifreskim të stafit duke angazhuar vullnetarë.

Të fillojnë punën menjëherë specializantët e pranuar në mënyrë vullnetare deri me 31.12.2020 dhe me pasë me pagesë nga viti i ardhshëm.

Të krijohen ekipet mjekësore profesionale për kujdes dhe trajtim të pacientëve në të gjitha klinikat me COVID-19.

Të punohet urgjentisht në përgaditjen e hapësirave për pranim të numrit edhe me të madh të pacientëve të mundshëm.

Ju lutem të keni kujdes sepse situata është në limitet e kapciteteve shëndetësore dhe humane,është buzë kolapsit! /Telegrafi/