Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja, por ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të konsultimeve për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Pas ndërprerjes së seancës të enjten nga kryesuesi Avni Dehari, Haxhiu u shpreh se mungesa e konsensusit gjatë takimit konsultativ ishte pengesa kryesore për të ecur përpara në këtë proces.


“Kryesuesi e ndërpreu seancën për shkak të mungesës së konsensusit në takimin konsultativ. Letra e dërguar nga presidentja tek kryesuesi kërkon gjetjen e një zgjidhjeje për të mos bllokuar konstituimin, dhe kjo kërkon konsultime. Nuk mund të arrijmë në një zgjidhje pa një proces të tillë”, theksoi ajo.

Haxhiu konfirmoi gatishmërinë e Vetëvendosjes për të kontribuar në çdo zgjidhje që do të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit.

“Si parti politike, jemi të përkushtuar që të korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit. Kemi vullnet të plotë për ta bërë këtë, por është e nevojshme të përcaktojmë mënyrën më të përshtatshme për ta arritur”, shtoi ministrja.

Ndërkohë, kryesuesi Dehari e mbylli seancën e së enjtes pa e hedhur në votim as pikën e parë të rendit të ditës – raportin e Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.

Kjo ishte tentativa e dytë e dështuar për të mbajtur seancën konstituive. Seanca e radhës është thirrur për ditën e shtunë, në orën 12:00. /Telegrafi/