Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail dhe Edonis Shkodra, kishin qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim – nga 21 qershori deri më 8 tetor 2024 – me ndërprerje të paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

"Bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë, kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë".


Sipas saj, kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për vepra të rënda tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga organet e drejtësisë.

"Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit, mund të çojë në pasoja tragjike siç pamë sot me vrasjen e trefishtë. Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve".

Edhe Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe përcolli ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa kritikoi ashpër Prokurorinë dhe Gjyqësorin për, siç tha, tolerim ndaj krimeve të rënda.

Ai theksoi se i dyshuari kryesor ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde, por ishte lënë i lirë, duke kërkuar që institucionet të reflektojnë dhe të mos ketë më asnjë tolerim ndaj kriminelëve.

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri”.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën rreth orës 12:30 në rrugën “Ibrahim Rugova” të Gjilanit, ku tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Sipas Policisë, njëri prej viktimave vdiq në vend, ndërsa dy të tjerë pas transportimit në emergjencë. Një i plagosur po trajtohet për plagë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër ka marrë plagë jo nga arma e zjarrit.

Drejtori rajonal i Policisë, Agron Rukiqi, tha se i dyshuari kryesor ka të kaluar kriminale me disa raste për sulm, prishje të rendit publik, mashtrim, fajde, kërcënim, shantazh dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Policia ka shpallur në kërkim tre të dyshuarit – Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra – dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për kapjen e tyre./Telegrafi/