LAJMI I FUNDIT:

Hardh Fest mbyll edicioni më të suksesshëm në histori

Hardh Fest mbyll edicioni më të suksesshëm në histori

Me një numër prej mbi 100.000 vizitorëve për tri ditë e tri net sa ka zgjatur festivali, Hardh Fest sivjet shënon edicionin më të suksesshëm, me programin e pasur vreshtar, vertarë e të trashëgimisë kulturore dhe artistike që ishte përgatitur për vitin 2022.

Pjesëmarrja e vizitorëve në Hardh Fest sivjet ishte dukshëm më i lartë se gjatë viteve të kaluara, si me pjesëmarrje në aktivitetet e shumta unike dhe rekreative ditore të festivalit, po ashtu edhe në koncertet e tri netëve që sollën emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe vendore.

Vlen të përmendet edhe numri i rritur i pjesëmarrësve nga shtete e rajonit dhe Evropa në edicionin e këtij viti. Turistë të huaj iu bashkëngjitën në disa raste aktiviteteve të ditës dhe u bënë pjesë e dhjetëra mijëra vizitorëve që morën pjesë në koncerte.


Foto: Hardh Fest/Facebook

Pjesë e këtij suksesi janë të gjithë ata që kontribuuan, morën pjesë në aktivitetet ditore, që vizituan panairin e prodhimeve të verës, rakisë e rrushit në lokacionin e festivalit dhe ata që u kënaqën me tingujt e muzikës Pop & Rok me artistë të nivelit botëror si Kip Winger.

Të gjitha lajmet nga Hardh Fest
Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Hardh Fest

Organizatorët janë të kënaqur me gjithë rrjedhën e ngjarjeve për tri ditët e kaluara dhe falënderojnë secilin vizitor e pjesëmarrës në aktivitete si dhe institucionet, përkatësisht Komunën e Rahovecit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, partnerin Stone Castle, sponsorin gjeneral Banka për Biznes dhe të gjithë sponsorët e tjerë për mbështetjen e madhe në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për vendin.

Hardh Fest është një festival autentik që shkas organizimi merr festën e vjeljes së rrushit, duke promovuar kulturën e vreshtarisë dhe në përgjithësi bujqësinë lokale të Rahovecit, përmes artit dhe trashëgimisë kulturore.

Foto: Hardh Fest/Facebook