LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Prishtina nuk mund të qeveriset me kifle

Haradinaj: Prishtina nuk mund të qeveriset me kifle

Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arbër Vllahiu, ka shpalosur programin qeverisës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, duke thënë se me ardhjen e tij në qeverisje, Prishtina do të funksionojë ndryshe.

Ai tha se qeverisja lokale në Prishtinë do të jetë zbatues i ligjit dhe respektues i kontratës së saj me qytetarin, për të dhënë shërbime adekuate.

Vllahiu  po ashtu u zotua se Prishtinën do ta kthejë në një qytet ku kultura dhe arti do të dominojnë, ndërsa nuk kurseu kritika për qeverisjen e deritanishme, për të cilën tha se nuk ka vizion dhe është e padenjë për qytetarin e Prishtinës.


“Kemi hyrë në këtë garë  me plotë sfida, të vështirë e të rëndë për ta ndryshuar një qeverisje të pa vizion, të padenjë për qytetarin  e Prishtinës të paaftë për të zgjidhur çështjet ekzistenciale në qytet. Kemi hyrë në një garë, për të dëshmuar që ndryshimi nuk ka ndodhur në Prishtinë. Për t’ia kthyer qytetit frymën e humbur, sepse është mbytur, është mbyllur, është ngulfatur dhe sepse qytetari është mashtruar me premtime dhe askush nuk i ka dal zot. Dua ta bëj të qartë se ne po vijmë, për të bashkudhëhequr me qytetarin e Prishtinës, për t’i dhënë shpirt këtij kryeqyteti dhe për të bërë punë siç e ka përkufizuar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj: Një orë e imja është sa shumë vite të tjerëve. Kryeministër, kryeqytetit tuaj dhe qytetarëve të tij i duhen orët tuaj për ta ndryshuar dhe ne kemi thënë se do ta bëjmë”, tha Vllahiu.

Vllahiu tha se kryeqyteti ka nevojë për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse të parasë publike. Ai po ashtu tha se në një qytet ku pothuaj asgjë nuk ka funksionuar, e janë neglizhuar qytetarët e tij, është e paimagjinueshme të flitet për projekte të mëdha.

“Në vend të kungjave do të mbjellim drunjtë. E disa kungja do t’i dërgojmë në muze, si trashëgimi e arkitekturës. Prishtina do të jetë kryeqytet me ligjin e saj vetëm atëherë kur ta trajtojë barabartë dhe në mënyrë të integruar pjesën rurale me atë urbane, në ofrimin e të gjitha shërbimeve publike dhe në zhvillim”, tha Vllahiu.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se kjo parti me kandidimin e Vllahiut, e ka nderuar qytetarin e Prishtinës, duke pohuar se kanë një ofertë cilësore dhe kredibile.

“Mendoj se në historikun tonë të  AAK asnjëherë si deri më tani s’kemi mbërri si kësaj here me nderu qytetarin e Prishtinës. Mendoj se është hera e parë, prej kur punojmë në Prishtinë dhe jemi në Prishtinë, që AAK ka mbërri kaq shumë me nderuar qytetarin me i dhënë një ofertë kaq cilësore e kaq kredibile. Është e pamundur Prishtina me u qeveris vetëm me perceptim, ose me kifle me i marrë votat. Kiflet dhe shujtat janë obligim shumë elementar, shumë normal që fëmijëve tanë me iu ofruar një shujtë në shkolla, është më se e logjikshme. Këtë do ta bëjmë në gjithë vendin. Por qeverisja është më shumë se kaq”, tha Haradinaj./Telegrafi/