Haradinaj prezanton kandidaturën e Yll Bogajt për deputet

Ramush Haradinaj ka prezantuar sot kandidaturën e Yll Bogajt për deputet në zgjedhjet qendrore të 28 dhjetorit.
Haradinaj, u shpreh se Ylli është ndër figurat më të njohura dhe më besnike të Aleancës.
“Yll Bogaj e kam të lehtë ta prezantoj, nuk ka askush në Aleancë që nuk e din kontributin e Yllit në shtëpinë tonë politike. Ka qëndruar me dinjitet edhe kur nuk ishim më së miri, edhe kur ishim shumë mirë.”
Haradinaj kujtoi se për Yllin, Prishtina ka qenë gjithnjë pika e nisjes së angazhimit politik.
“Prishtina është pikënisja e Yllit qysh në fillimet e tij, kur ishte ndër të rinjtë që kuptuan qartazi rolin e aktivizimit politik; u zgjodh dy herë asamblist, ndër më të votuarit në listën tonë për Prishtinën.”
Ai theksoi edhe rëndësinë e angazhimit të Yllit në listën e Aleancës për zgjedhjet qendrore.
“Sot i bashkohet listës së njerëzve të mirë e punëtorë të Aleancës, njerëz që Kosovën e kanë shtëpi të vetme dhe për të cilën nuk lodhen së punuari kurrë”, përfundoi Haradinaj.

















































