Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë sot në Festivalin Festari, që mbahet në Therandë.

Ai ka thënë se ky është manifestimi më i bukur i mënyrës së jetesës në Kosovë, duke shfaqur identitetin e qytetarëve.


“Festa e artë dhe e rinisë në Therandë, i nxjerr në dritë vlerat tona më të çmuara dhe është manifestimi më i bukur i mënyrës së jetesës në vendin tonë dhe i asaj se kush jemi. Kënaqësi të ndaja sot gëzimin me qytetarët e Therandës në Festivalin Festari”, ka deklaruar Haradinaj, thuhet në njoftimin për media.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se ka uruar të gjithë bujqit për të arriturat e tyre.

“Në këtë ditë feste gjatë panairit të prodhimeve bujqësore urova bujqit për të gjitha të arriturat e tyre, pashë nga afër artefakte të llojllojshme arkeologjike e etnografike në Muzeun e Qytetit dhe u bashkova në aktivitetet e shoqërive kulturore dhe të të rinjve. Krenar që produkti 100% Kosovë, sot dominon tregun tonë, falë punës së vyer të prodhuesve tanë dhe masave mbrojtëse të Qeverisë për prodhimin vendor”, ka shkruar ai në fund.

70803300 1370691653055245 6408177809352556544 n

Haradinaj ka marrë pjesë po ashtu edhe në vjeljen e rrushit.

Haradinaj ka thënë se ishte ndjenjë e veçantë të përcillte nga afër gëzimin e vreshtarëve për vjeljen e rrushit.

“Festa e vjeljes së rrushit shpalos traditat më të bukura mijëvjeçare në Therandë, e cila tashmë ka depërtuar në tregjet globale me verërat e saj cilësore dhe brendet e njohura, që pos se i japin vendit tonë impuls të rritjes ekonomike, e bëjnë pjesë të guidave turistike. Gjatë festivalit Festari, ndjenjë e veçantë të isha pjesë e përcjelljes së gëzimit të vreshtarëve me vjeljen e rrushit si dhe degustimit të verërave të mrekullueshme të kësaj ane”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/