Haradinaj kërkon të shpallen zgjedhjet e reja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësim për situatën politike dhe ekonomike në vend, pas mbledhjes së kryesisë së partisë.
Ai theksoi se vonese në miratimin e buxhetit dhe problemet me pagat e punëtorëve të sektorit publik, duke përfshirë edhe punëtorët e RTK-së, po krijojnë vështirësi serioze për qytetarët.
“Diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe shqetësimi ynë kryesor janë pengesat e gjata dhe pamundësia për miratimin e buxhetit, si dhe shumë situata të tjera që nuk janë të lehta. Punëtorët e RTK-së kanë mbetur pa paga”, tha Haradinaj.
Sipas tij, këto probleme janë pasojë e qasjes së Qeverisë Kurti, e cila “ka penguar dhe zvarritur proceset” në vend.
Më tutje tha se dalja nga kjo gjendje është shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare, ndërsa AAK ka nisur përgatitjet për to.
“AAK-ja vlerëson që të gjitha këto vështirësi dhe sfida që po kalon Kosova janë pasojë e qasjes së Kurtit, i cili ka penguar dhe zvarritur proceset. Mendojmë se dalja nga kjo gjendje është pikërisht shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare, dhe për këtë kemi nisur përgatitjet,” u shpreh Haradinaj para gazetarëve.
Ai shtoi se AAK nuk do të jetë pjesë e asnjë procesi që shkel Kushtetutën dhe deformon rendin demokratik.
"Buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë. Qeveria në detyrë nuk duhet të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë më. Aleanca do të mbrojë integritetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës. S’ka buxhet pa Qeveri. S’ka vendimmarrje pa mandat. S’ka demokraci pa respektim të Kushtetutës|", u shpreh Haradinaj./Telegrafi/



















































