Haradinaj kërkon shtyrjen e seancës për politikën e jashtme (Dokument)

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar me një kërkesë kreut të Kuvendit, Kadri Veseli për shtyrjen e seancës së jashtëzakonshme të së premtes ku do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me politikën e jashtme të Kosovës.
Në dokumentin që e ka siguruar Klan Kosova, Haradinaj e arsyeton kërkesën e tij me disa angazhime.
“I nderuar kryetar Veseli, ju njofton se më datën 16 nëntor, jam me disa angazhime të parapara dhe e kam të pamundur të jem në punimet e seancës së jashtëzakonshme të ftuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj me mirëkuptim kërkojë që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër”.
Pikërisht në ditën kur mbahet seanca e thirrur nga opozita, Haradinaj do të udhëtojë për në Vjenë të Austrisë.
Atje me ftesë të kancelarit Sebastian Kurz, shefi i ekzekutivit kosovar do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik që i zhvillon punimet më 19 nëntor (të hënën).
Megjithatë, Klan Kosova merr vesh se Haradinaj gjatë kësaj vizite do të takohet me kancelarin Sebastian Kurz si dhe do të koncentrohet në lobimin sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.





















































