Handikos Kaçanik dhe American Beauty School bashkëpunojnë për fuqizimin e grave me aftësi të kufizuara

Shoqata Handikos Kaçanik ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me institucionin arsimor American Beauty School, me qëllim fuqizimin dhe përfshirjen socio-ekonomike të vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të ofrohen trajnime profesionale pa pagesë në fushën e manikyrit, duke u mundësuar pjesëmarrëseve të fitojnë aftësi praktike që lehtësojnë hyrjen e tyre në tregun e punës.
Nga Handikos Kaçanik është theksuar se ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së pavarësisë ekonomike dhe integrimit të grave me aftësi të kufizuara në jetën profesionale.
Organizata ka falënderuar American Beauty School për gatishmërinë dhe përkushtimin në mbështetjen e kësaj nisme me ndikim të drejtpërdrejtë social. /Telegrafi/


















































