Hamilton kalon 53 orë fluturime brenda 10 ditësh, derisa Vettel në këtë periudhë nuk ka bërë thuajse asgjë

Me një kuti me kokoshka, Lewis Hamilton ka hipur në aeroplan pak ditë më parë, për të kryer një udhëtim prej 21 orësh.
Kaq ishte distanca e lëvizjes së tij të fundit nga New Yorku deri në Singapor, ku këtë fundjavë do të zhvillohet gara e Formula 1.

Por, që nga gara e shkuar e Monzas, piloti britanik i Mercedesit ka qëndruar në ajër për 53 orë.
Në këto 10 ditë, ai ka kryer 24.829 milje (39.958 kilometra)kryesisht për të promovuar sponsorët e tij personalë.
Ai ka udhëtuar nga Milano në Londër, nga Londra në Shangai, nga Shangai në Londër, nga Londra në New York dhe nga New Yorku në Singapor - transmeton Top Channel.

Pas këtyre udhëtimeve kaq të shumta, në një periudhë kaq të shkurtër, të gjithë pyesin sesi mund të jetë gjendja e tij për duelin që ka me rivalët e garave.
“Jam shumë mirë, kjo lëvizje dhe aktivitetet e shumta më japin edhe më shumë motivim”, ka deklaruar britaniku.
Ndërkohë, rivali i tij më i madh, Sebastian Vettel, gjatë këtyre 10 ditëve nuk ka bërë thuajse asgjë, përveçse disa orë peshkim dhe ka qëndruar pranë familjes së tij në Zvicër.












































