Hajrullahu: Vijueshmëria e ngërçit në Kuvend e bën temën të parëndësishme

Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, tha se përpjekjet e vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po e bëjnë këtë temë të humbasë rëndësinë, sidomos duke pasur parasysh ngjarjet e shumta që po zhvillohen në vend.
Hajrullahu tha se as nesër nuk pritet të ketë ndryshim të zhvillimeve në Kuvend, ngase, sipas tij, jo vetëm LVV, por edhe partitë tjera janë duke pritur një vendim nga Gjykata Kushtetuese që, me gjasë, mund ta zhbllokojë situatën në të cilën ndodhet Kuvendi.
“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese do ta zhbllokojë ngërçin. Ose do të vazhdohet me votim të hapur, ose me votim të fshehtë. Vendimi për votim të fshehtë mbase do t’iu përshtatej partive politike, të cilat kanë kundërshtuar këtë ide, me qenë se ata do të mund të arsyetohen në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hajrullahu në “InfoPlus”, në RTK.
Tutje, ai tha se Kosovës i duhet një qeveri stabile e funksionale, jo vetëm në numra.
Duke folur për formimin e qeverisë, Hajrullahu mes tjerash tha se po t’i kishte numrat, LVV do ta kishte zgjedhur deri tash edhe Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.





















































