Hajrulla Çeku: Agroturizmi do të gjallërojë jetën në fshatrat e Prishtinës

Programi i kandidatit për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, parasheh transformim rrënjësor të infrastrukturës rurale, rrugë, ujësjellës, ndriçim dhe kanalizim të kompletuar.
Po ashtu, mbështetje direkte për familjet bujqësore që dëshirojnë të hapin ferma vizitash, bujtina dhe restorante tradicionale.
Çeku thotë se Komuna do të ofrojë grante dhe lehtësira për investime në agroturizëm, si dhe trajnime për marketing rural dhe shërbime mikpritjeje.
Një element tjetër i rëndësishëm i vizionit të tij është edhe krijimi i itinerareve turistike, si “Shtegu i Shijes së Prishtinës”, që do të lidhë fshatrat përmes produkteve vendore: verë, djathë, mjaltë e bimë tradicionale.
“Fshatrat e Prishtinës kanë një pasuri të madhe: tokën, traditën dhe mikpritjen. Por kjo pasur ende nuk është shndërruar në zhvillim. Koha është për një model të ri, agroturizmin,” tha Çeku.
“Ky është modeli me të cilin fshatrat tanë ringjallen, bujqësia bëhet fitimprurëse, dhe Prishtina bëhet një kryeqytet që e do dhe e zhvillon fshatin e vet. Qyteti dhe fshati do të rriten bashkë, dorë për dore,” shtoi ai.


















































