LAJMI I FUNDIT:

Hajdari takon përfaqësuesit e biznesit, diskutojnë për gjendjen e krijuar nga Coronavirusi

Hajdari takon përfaqësuesit e biznesit, diskutojnë për gjendjen e krijuar nga Coronavirusi

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari ka diskutuar me odat ekonomike vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, me prodhuesit vendor dhe importuesit.

Hajdari ka dëgjuar shqetësimet e tyre në lidhje me zbatimin e masave të marra nga vendimet dhe udhëzimet e Qeverisë së Kosovës për mbrojtje dhe kujdes lidhur me pandeminë COVID-19, gjatë veprimtarisë së tyre ekonomike, duke iu ofruar mbështetje dhe komunikim të vazhdueshëm për të sqaruar të gjitha udhëzimet e dhëna për zbatimin e masave dhe urdhëresave përkatëse për veprimtaritë ekonomike, lidhur me gjendjen e tanishme emergjencë e shëndetit publik.


Sipas njoftimit, ministrja ka premtuar koordinim të plotë në mes bizneseve dhe Qeverisë së Kosovës, duke ua sqaruar edhe udhëzimet e ndërmarra nga MEPTINIS në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së bizneseve pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.

Në takim, që u mbajt në ambient të hapur, me ministren Hajdari, ishin kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Klubit te Prodhuesve, Astrit Panxha, drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, drejtoresha ekzekutive e Odës Afariste Austriake, Vjosa Huruglica, drejtoreshë ekzekutivë e Rrjetit te Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj, Latif Kryeziu nga “Shell Kosova”, shoqata e asociacione tjera, si dhe prodhues e importues të vendit. /Telegrafi/