Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e rezervave shtetërore ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk u zhvillua të martën për shkak të mungesës së të akuzuarës.

Hajdari, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në Facebook, sqaroi se nuk ka marrë asnjë thirrje për pjesëmarrje nga Gjykata, duke premtuar se do të paraqitet në seancën e ardhshme sapo të konfirmohet ftesa.


“Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, nuk kam pranuar ndonjë thirrje nga Gjykata. Në momentin që të marr ftesën për seancën e ardhshme, do të jem e pranishme”, shkroi Hajdari, raporton Telegrafi.

Procesi dështoi gjithashtu për shkak se avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica, nuk ishte i pranishëm. Pas situatës, shqyrtimi fillestar u caktua të mbahet më 13 janar 2026.

Kreu i trupit gjykues, Avni Syla, tha se Hajdarit i ishte dërguar ftesa përmes postës, por deri tani nuk kishte konfirmim për pranimin e saj. Në seancë ishte i pranishëm vetëm avokati i saj, Florent Latifaj.

Nga të akuzuarit e tjerë, në sallë ishte Hafiz Gara me avokatin Nazim Mehmeti dhe Ridvan Muharremi me avokatin Mahmut Halimi, ndërsa avokati i Lipovicës, Feim Alaj, mungoi për shkak të një ftesë të njëkohshme nga Gjykata Themelore në Pejë. Ai kishte dërguar një përfaqësues ligjor dhe kishte informuar gjykatën përmes e-mailit.

Kryetari i trupit gjykues shtoi se gjykata kishte kërkuar që Alaj të gjejë zëvendësim ligjor, por nuk kishte marrë miratimin e të mbrojturit të tij për këtë hap. /Telegrafi/