Haaland mori kritika përkundër se shënoi dy gola: Nuk ka të bëj vetëm me prekjen e topit

Erling Haaland pranoi se nuk ishte i kënaqur me barazimin 2-2 të Manchester Cityt kundër Monacos në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se shënoi dy gola në këtë sfidë.
Norvegjezi nuk ishte mirë pas ndeshjes, duke kritikuar vetveten dhe bashkëlojtarët e tij.
“Nuk ndihem mirë, nuk fituam. Bëmë gabime të panevojshme në pjesën e dytë. Nuk luajtëm mjaftueshëm mirë dhe nuk e meritonim fitoren", tha norvegjezi për TNT Sports pas ndeshjes.
"Na mungoi energjia. Duhej t’i sulmonim më shumë, si në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ata morën epërsinë dhe kjo nuk është e pranueshme”.
Sulmuesi i Cityt foli edhe për faktin që pati vetëm shtatë prekje të topit në pjesën e parë, përkundër që shënoi dy gola.

“Ende mendoj se isha i përfshirë në lojë, duke bërë lëvizje dhe duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës. Nuk ka të bëjë vetëm me prekjet e topit, por me vrapimet. Në pjesën e parë bëra punën time, në të dytën jo, nuk shënova më dhe as nuk e mbylla ndeshjen”, tha sulmuesi norvegjez.
Haaland theksoi edhe vështirësinë e garës, duke thënë se secila ndeshje është e vështirë.
“Çdo ndeshje në Ligën e Kampionëve është e vështirë. Kujtoni vitin e kaluar kur u eliminuam. Jo shumë ekipe arrijnë t’i fitojnë dy ndeshjet e para dhe kjo tregon se sa e fortë është kjo garë”, përfundoi Haaland. /Telegrafi/
Haaland i dha dy herë epërsinë Cityt, por Monaco reagoi në të dy rastet, duke barazuar për herë të dytë nga pika e bardhë me golin e Eric Dier në minutat shtesë. /Telegrafi/

















































