Guvernatori i BQK-së takohet me shefin e ri të bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, diskutohet integrimi financiar dhe reformat

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim konstruktiv me Hubert Perr, Shefin e sapoemëruar të Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, i shoqëruar nga ekipi i tij.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë që BQK ka me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe me drejtoritë përkatëse të Komisionit Evropian.
Ai theksoi se ky partneritet luan rol kyç në avancimin e agjendës reformuese të BQK-së dhe në zhvillimin e sektorit financiar të Kosovës.
Ismaili prezantoi një pasqyrë të reformave dhe aktiviteteve aktuale të BQK-së, të orientuara drejt përafrimit me legjislacionin dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Tutje e informoi Perr për progresin drejt integrimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke theksuar se ky proces do të rrisë efikasitetin e sistemeve të pagesave dhe përputhshmërinë me standardet evropiane, pavarësisht sfidave ligjore.
Po ashtu, Guvernatori theksoi përpjekjet e BQK-së në avancimin e legjislacionit, reformave mbikëqyrëse, forcimin e sovranitetit financiar dhe monetar, si dhe në luftën kundër falsifikimit të euros.
Ai nënvizoi rolin aktiv të institucionit në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, në varësi të miratimit parlamentar.
Takimi përfshiu edhe diskutime mbi zhvillimet legjislative, përfshirë Ligjin e ri për Bankat, nevojën për rishikimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, si dhe miratimin e Ligjit të përditësuar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (AML).
U diskutua gjithashtu rregullimi dhe monitorimi i kripto-aseteve, në përputhje me qasjet evropiane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit përmes programit TAIEX, veçanërisht në forcimin e ekspertizës teknike dhe kapaciteteve mbikëqyrëse.
Palët vlerësuan si arritje të rëndësishme progresin e vitit të kaluar në luftën kundër falsifikimit të euros, përmes krijimit të bazës ligjore dhe institucionale në kuadër të këtij programi.
Guvernatori Ismaili informoi gjithashtu për aktivitetet e BQK-së lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, duke theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për mbulimin ndërkombëtar të sigurimeve dhe lëvizshmërinë ndërkufitare.
Nga ana e tij, Hubert Perr mirëpriti progresin e prezantuar dhe rikonfirmoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur reformat institucionale të Kosovës, duke vlerësuar BQK-në si një partner të angazhuar dhe të besueshëm.
Të dyja palët rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejmë të Kosovës drejt përafrimit rregullativ, mbikëqyrës dhe operacional me Bashkimin Evropian.


















































