Guvernatori i BKQ-së: Rritje ekonomike 3.9% në vitin 2025, për 2026 parashihet 4.1%

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), nën drejtimin e guvernatorit Ahmet Ismaili, ka publikuar të dhënat kryesore ekonomike të vendit për vitin 2025, duke evidentuar një rritje pozitive dhe stabilitet financiar të qëndrueshëm.
Sipas raportit të BQK-së, ekonomia e Kosovës është rritur me 3.9 për qind gjatë këtij viti, me kontribuese kryesore konsumin e brendshëm, eksporte në rritje dhe flukset e qëndrueshme të remitencave.
Guvernatori Ahmet Ismaili theksoi se “trendët e stabilitetit financiar dhe rritjes ekonomike tregojnë forcën e ekonomisë kosovare, pavarësisht sfidave globale”, raporton Telegrafi.
Për vitin 2026, BQK parashikon një rritje ekonomike prej 4.1 për qind, e nxitur nga investimet dhe përmirësimi i aktivitetit ekonomik. Remitencat vazhdojnë të kenë një rol kyç në mbështetjen e konsumit, me një vlerë të pritshme prej 1.4 miliard euro deri në fund të vitit.
Raporti gjithashtu evidenton një trend të rritjes së investimeve të huaja direkte, të cilat pritet të kontribuojnë më tej në zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Guvernatori Ismaili theksoi se “synimi ynë mbetet ruajtja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve për një rritje të qëndrueshme, duke nxitur besimin tek ekonomia kosovare dhe partnerët investues”. /Telegrafi/




































