Pal Gruda ka vazhduar dëshminë në gjyqin kundër 14 personave, të cilët akuzohen për fajde e vepra të tjera të rënda penale.

Gruda tha se për shkak të presionit nga Asdren Mekaj kishte kërkuar 20 mijë euro borxh për dy muaj tek i akuzuari Benson Buza. Ky i fundit ia kishte gjetur por me kushtin që për çdo muaj vonesë të paguante nga 3,000 euro. Dëshmitari tha se ka pasur raste kur për shkak të vonesave ka paguar deri në 500 euro kamatë ditore.

Për të shlyer borxhin, Pal Gruda tha se u detyrua të marrë të holla nga lokali familjar i argjendarisë.

Përveç që pagoi mbi 40 mijë euro për borxhin prej 20 mijë eurosh, Gruda tha se iu kërkuan edhe 60 mijë euro për ta lënë të qetë.

Pal Gruda, i cili në këtë rast gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Prizrenit është në cilësinë e të dëmtuarit, tha se nga Bensoni ka pasur edhe kërcënime me armë.

Pas kësaj situate, ai tha se ka pasur takim me Kastriot Kqirën, i cili i kishte thënë se personalisht do të merrej me shlyerjen e borxhit ndaj Bensonit.

Kastrioti i kishte dhënë të dëmtuarit edhe 15 mijë euro kinse për t’ i ndihmuar si shok, ndërsa më vonë ia kishte kërkuar me arsyetimin se i kishte marrë nga axha Tunë.

15 mijë eurot Gruda tha se ia kishte kthyer pas dy jave Kastriotit e më pas ky i kishte thënë se i ka pasur me kamatë prej 4 mijë euro në muaj.

Për tetë muaj rresht Pal Gruda tha se i kishte paguar nga 4, 000 euro kamatë Kastriotit, me ç’rast tha se ka pasur raste që për shkak të vonesave kamatë ditore ka paguar nga 500 deri në 1,000 mijë euro.

“Kastrioti prej meje ka marrë edhe pare edhe ari. Vlera e përgjithshme e tyre u kanë 47 deri në 50 mijë euro”, tha ai në dëshminë e tij.

Gruda tha se pas marrjes së këtyre të hollave ka qenë i detyruar nga Kastrioti që të marrë nga ai një veturë “Golf 6”, për t’ia dhënë Burim Shalës, të cilin ky i fundit ia kishte llogaritur 15 mijë euro.

“Golfin” e kishte lënë si garancë për blerjen e dy veturave, një “Mercedes” në vlerë prej 50 mijë euro dhe një “Audi” në vlerë 24 mijë euro, kështu duke i mbetur borxh Burim Shalës edhe 59 mijë euro të tjera.

Dy veturat e blera i kishte marrë Kastriot Kqira, ndërsa borxhi kishte mbetur Palit.

Pal Gruda tha se borxhin Burim Shalës ka qenë i detyruar ta paguajë prindi i tij, Zefi, për të cilin ka hartuar dokument me shkrim dhe i cili ishte deponuar edhe si provë në prokurori.

Pas pagesës së këtij borxhi, dëshmitari tha se Kastriot Kqira kishte kërkuar 200 mijë euro nga familja Gruda për t’u larë me të gjitha borxhet dhe problemet, të cilat tha se nga frika babai i tij kishte vendosur t’ i paguajë.

“Babi ka pranu me i pagu këto para… në shumën prej 200 mijë euro”, tha Pal Gruda në dëshminë e tij përmes video-linkut.

Pasi kishin paguar 200 mijë eurot, Pal Gruda tha se Kastriot Kqira e kishte thirrur për kafe dhe i kishte kërkuar edhe 550 mijë euro të tjera, me arsyetimin se gjatë kohës sa e kishte pritë borxhin e Palit, kishte hyrë borxh te axha i tij Tunë Kqira.

Në këtë takim, në ndërkohë tha se kishte ardhur edhe Tunë Kqira. Sipas dëshmitarit, Tuna kishte thënë: “laji paret se me të ardhë unë në lokal e sheh se çka bëhet aty, veç e hapi bagazhin e kerrit edhe krejt arin e zbraz aty”.

Për shkak të situatës së acaruar, Pal Gruda tha se së bashku me babanë e tij e kanë marrë priftin Don Shanin dhe kanë shkuar në fshatin Serbicë, ku ishin takuar me kryefamiljarin e Kqirajve, Gjergjin, mirëpo edhe pas këtij takimi tha se situata nuk ishte qetësuar.

Pas këtij takimi, i akuzuari Marjan Kqira tha se ishte takuar me prindin e tij Zefin, të cilit i kishte thënë se “po shkeli këmba e policisë në oborrin tim kam me të faru me krejt çka ki”.

Për shkak të kërcënimeve që kishte pasur, i dëmtuari tha se tre muaj nuk kishte dalë nga shtëpia e tij.

Në takimin e fundit që kishin pasur në kishë ishin kërcënuar nga Kqirajt, të cilët, sipas tij, kanë thënë: “Do t’ju vrasim të gjithë, ndërsa Palin do ta lëmë të fundit për t’ua trembë mizat nga varret”.

“Jemi të damtum prej këtij grupi shumë. Unë jam dëmtu edhe psikologjikisht edhe s’ jam rahat mo, edhe nga disa pjesëtarë të tyre që janë jashtë na jemi seriozisht të rrezikum. E keni pa në Prizren se çka po ju ndodhë dëshmitarëve që po i tregojnë këto raste”, tha Pal Gruda dëshminë e tij të nisur në dhjetor.

Pas dëshmisë së të dëmtuarit, në fund mbrojtja i propozoi trupit gjykues ndërprerjen e paraburgimit për të pandehurit me arsyetimin se kanë pushuar kushtet për qëndrim në paraburgim, mirëpo këtë propozim në mënyrë kategorike e kundërshtoi prokurorja Merita Binaj-Rugova.

Trupi gjykues njoftoi se lidhur me këtë propozim, në ndërkohë do të marrë vendim me shkrim.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 27 janar.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat e kaluara të këtij procesi. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Në shtator të këtij viti në emisionin “Drejtësia në Kosovë“ u trajtua rasti i fajdeve në Mitrovicë.

Për shkak të fajdeve, dy vëllezër, Murat e Petrit Mehana, kishin bërë vetëvrasje më 2011. /KALLXO.com/