Grindeni para fëmijëve? Truri i tyre vuan më shumë sesa mendoni

Studimi zbulon se grindjet e shpeshta ndryshojnë mënyrën si fëmijët e lexojnë frikën, zemërimin dhe emocionet e të tjerëve
Nuk është as sekret, as ndonjë urtësi e madhe që nuk duhet të debatojmë , e aq më pak të zihemi para fëmijëve. Tashmë e dimë se konfliktet në prani të tyre ndikojnë në shumë nivele, por sot kemi edhe prova të reja: ato ndryshojnë mënyrën se si fëmijët i përjetojnë emocionet e të tjerëve.
Natyrisht, nuk na duhet ndonjë studim i thellë për të kuptuar se grindjet para fëmijëve nuk janë të shëndetshme. Dhe po, është e qartë se jo gjithmonë mund të shmangim çdo debat me partnerin. Jeta reale sjell tensione, lodhje dhe situata të paparashikuara.
Megjithatë, kur konfliktet ndodhin shpesh, fëmijët fillojnë t’i interpretojnë ndryshe emocionet. Aftësia e tyre për të njohur dhe kuptuar ndjenjat e njerëzve të tjerë transformohet dhe kjo në mënyrë të dukshme krahasuar me fëmijët që nuk ekspozohen rregullisht ndaj grindjeve.
Këto gjetje u botuan në Journal of Family Psychology, pas një studimi ku u krahasuan fëmijët nga familje me konflikt të lartë dhe konflikt të ulët, sipas të dhënave nga nënat e tyre. Më pas, shkencëtarët analizuan aktivitetin e trurit të fëmijëve ndërsa ata shikonin fotografi të të rriturve me shprehje të ndryshme: fytyra të zemëruara, të lumtura dhe neutrale, transmeton Telegrafi.

Rezultati ishte i qartë: Fëmijët nga familjet me konflikte të shpeshta tregonin aktivitet më të lartë të trurit kur shihnin fytyra të zemëruara. Kjo u mat përmes testimit EEG, të njohur si P-3, i cili studion aftësinë e trurit për t’u përqendruar dhe për të interpretuar një stimul.
Me fjalë të tjera: edhe pse nuk mund t’i shmangni të gjitha debatet, ia vlen të përpiqeni të evitoni ato të panevojshmet. Po, ekzistojnë grindje të panevojshme dhe po, mund të shmangen.
E nëse megjithatë ndodhin, është e rëndësishme t’u drejtoheni fëmijëve më vonë: t’ua shpjegoni shkurt çfarë ka ndodhur, t’i siguroni se nuk kanë asnjë faj dhe se nuk janë në rrezik. Sepse pikërisht ideja e rrezikut bën që truri i tyre të reagojë ndryshe. Dhe këtë, natyrisht, askush nuk e dëshiron. /Telegrafi/

















































