LAJMI I FUNDIT:

Grim dhe elegancë: Perfeksionistja Saranda Shala

Grim dhe elegancë: Perfeksionistja Saranda Shala
Saranda Ademi

Në punën e saj, reflekton atë që femrat duan… Imazhi i kuruar, sharmi, detajet e skalitura dhe gjithçka tjetër për mikeshën time është çështje fantazie. Magjia e krijimeve të saj është e prekshme përtej pritshmërive, sepse ajo e bën çdo grua të duket thjesht e rëndësishme

Nga: Saranda Ademi


Në një çelje vere kur shiu dhe erërat e lehta, si çdo herë në Zvicër, janë të zakonshme, pas një shëtitjeje po aq të zakonshme brigjeve të liqenit, u ndala në Lausanne; qytet ky në kantonin Vaud. Nga larg më ra në sy një vajzë flokëzezë, plot elegancë. Me t’u afruar e kuptova që kjo syshqiponjë qenka shqiptare, qenka e gjakut tim. E lindur dhe e rritur në Prishtinë. M’u duk sikur në qenien e saj pashë të gërshetuara fare natyrshëm rebelimin e Lumëbardhit të Prizrenit, edukatën tipike shqiptare dhe domosdo edhe kulturën e saj imponuese. Si u futëm në objektin e institucionit të saj, më ofroi kafen e mëngjesin, gjithmonë e qeshur dhe e dashur si lulet e para të pranverës.

Saranda Shala është kjo. Emër, tashmë i njohur për çdo femër, jo vetëm brenda kufijve të Lausannes, dhe jo vetëm brenda komunitetit shqiptar. Një femër, një nënë, një grua, që me dashurinë sublime ofron kujdesin për dukjen e femrës, pra për bukurinë e saj. Arsyet e njëjta detyruan edhe Sarandën, si shumë Saranda të tjera, të bëhet pjesë e mërgatës shqiptare. Por kjo rrugë mërgimi, Sarandës, krahas sfidave të shumta, i hapi edhe mundësi të reja. Ndonëse diplomën në fushën e drejtësisë të vendlindjes nuk ia njohu shteti helvetik, kjo luaneshë nuk u dorëzua; ndoqi kurset e trajnimit të estetikës dhe u diplomua si Dermapigmentologe. Sot është një ndër trajnerët e para internacionale në Zvicër.

Gjithnjë e gjallë, në aktivitet dhe plot ide e projekte të tjera, Saranda është shembulli klasik i një historie suksesi në Zvicër. Ajo po lë gjurmë në industrinë e bukurisë si artiste grimi, duke influencuar industrinë me kontributin e saj në këtë fushë. Të gjithë e kujtojmë ceremoninë dhe vëmendjen maksimale si anëtare e jurisë internacionale për grim permanent që u mbajt në Lugano të Zvicrës. Ky nuk është vetëm një moment lavdie për të, përkundrazi. Është çasti që për shumëkënd kulmon karrierën profesionale, duke kthyer çdo krijim në një kult të stilit dhe mishërim të së bukurës.

Kur flasim për kujdesin e bukurisë, shpeshherë na shkon mendja tek operacionet estetike – Botox. Por jo, puna e Sarandës është art me vete. Kur shoh intervenimet me pigmentim, ndalem një çast dhe them: Është Picasso në versionin femëror, që di të bëjë art të gjallë. Pak njohuri kemi për Dermapigmentologjinë, por Saranda është ajo që do të na shpjegojë. Ky është ligjërimi i saj:

“Dermopigmentimi, ose përbërja e përhershme është një trajtim estetik që në shek.XXI është bërë shumë i rëndësishëm, si në fushën estetike ashtu edhe atë paramjekësore. Përbëhet nga futja e pigmenteve me ngjyra nën lëkurë, ngjashëm me tatuazhet, por me qëllim të mbulimit të defekteve dhe papërsosmërive, ose për të përmirësuar ose theksuar pjesët dhe format e një zone specifike të trupit ose fytyrës, në mënyrë që të arrihet një harmoni e lartë estetike.

Dermopigmentimi është më shumë se një grim permanent. Kur e bukura të fle në shpirt, detyrimisht thellohesh në fushën e kërkimit. Kështu unë vazhdova studimet e mia, duke përdorur teknikat dhe metodat e reja në dermopigmentimin estetik dhe Paramedikal.

Dermopigmentimi mund të aplikohet edhe në anën e thjeshtë estetike. Në fakt, është shumë e kërkuar bërja e vetullave më të trasha. Dhe, kjo përshtatet më së miri në fytyrën tonë. Ose buzët e ridizenjuara për një efekt më natyral dhe absolutisht jovulgar. Vlen të ceket që kemi lloje të ndryshme të Dermopigmentimit, si për shembull ai i flokëve, vetullave, linjës në sy (llajner), buzëve, njollave të krijuara nga mungesa e melaninës në lëkurë që shkakton vitiligon!

Në fushën e mjekësisë është një zgjidhje e vlefshme për probleme të ndryshme, duke pasur parasysh që Dermopigmentimi përdoret për të mbuluar plagët e të gjitha llojeve, të shkaktuara nga faktorë të ndryshëm, si për shembull Dhëmbëza Depiamentuese, që janë si pasojë e operacionit të gjirit, ose Mastektonia, plagët e çara në buzë, Vitiligo, si dhe shenjat e heqjes se fytyrës mund të trajtohen dhe të përmirësohen shumë me Dermopigmentimin.”

Me shpjegimin e Sarandës, mund të kuptojmë që, Mikropigmentimi shpesh përdoret si një trajtim plotësues i operacionit për plagët e repigmentit. Ajo theksoi gjithashtu se kjo teknikë është efektive edhe për shenjat nga Mastektomia, kur pas heqjes kirurgjikale të gjirit dhe një rindërtimi pasues, është e mundur të krijohet areola, duke ri-pigmentuar unazën rreth majës se gjirit. Kjo ndërhyrje ndihmon shumë psikologjikisht personat, të cilët janë përballur me terapi të rënda, pas sëmundjeve të ndryshme.

Saranda është një “Bière Femeat” e para në kantonin e Vaudit, të mos them në gjithë Zvicrën, që është specialiste dhe e autorizuar të trajnojë persona që janë të interesuar për Dermapingmentologjinë, ose, thënë më ndryshe – Grimi Permament. Me shumë ngrohtësi dhe një përkushtim të veçantë ajo i bën edhe kurset më të lehta për t’u përvetësuar. Kësisoj, në emër të Sarandës, i drejtohem gjithkujt që është i interesuar të marrë informacione ose të marrë pjesë në trajnimet e saj, është i mirëpritur. Diplomat janë të zyrtarizuara dhe të njohura ndërkombëtarisht, por as ana materiale nuk mbetet prapa profesioneve tjera. /Telegrafi/