Blerinë Ukshini, menaxhere e projekteve në Organizatën Germin

Pozita e grave në sferën politike dhe ekonomike vazhdon të mbetet e brishtë në Kosovë; në politikë shpesh lidhet me kuotën gjinore të domosdoshme për pjesëmarrje në kuvende komunale, ndërsa në ndërmarrësi është e koncentruar kryesisht në biznese mikro dhe të mesme. Kjo nuk lidhet me mungesë potenciali të grave e vajzave, por me barriera strukturore dhe me modele tradicionale që ende ndikojnë në shpërndarjen e pushtetit dhe mundësive.


Në anën tjetër, përtej kufijve, gratë dhe vajzat me origjinë nga Kosova e Shqipëria, në diasporë, po vazhdojnë çdo ditë e më shumë të përfshihen në jetën politike, në pozita udhëheqëse, punë në kompani prestigjioze dhe në ndërmarrësi. Megjithëse edhe këtu nuk mund të themi se numri është enorm, vitet e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm për shkak të ndryshimit të rrethanave dhe kontekstit historik. Në të kaluarën, shumica e grave në diasporë kanë qenë më pak të integruara për shkak të rrethanave të migracionit; ndërkaq tani, gjeneratat e reja që kanë lindur dhe/apo shkolluar në diasporë, janë shumë më të integruara. Ky fakt natyrisht që bën diferencën, duke përmirësuar pozitat e tyre në jetën ekonomike, sociale e politike.

Kur përmendet diaspora, mendimi që na lidh më së shumti është potenciali ekonomik, sidomos në aspektin e remitancave; atdhedashuria, që e ndërlidh diasporën me aspektin emocional/simbolik; investimet kapitale në blerje të pronave të paluajtshme; si dhe përkrahja politike për subjekte të caktuara.

Në fakt, shpesh harrohet të përmendet potenciali më i madh që mund të kemi nga diaspora: ai i dijes, “rikthimi i trurit”. Në raste konkrete, fuqizimi i grave në politikë dhe ndërmarrësi në nivel lokal në Kosovë mund të ndodhë duke krijuar ura lidhëse mes grave në diasporë dhe atyre në vend.

Ka një sërë iniciativash që janë marrë ndër vite nga organizata si Germin, GIZ, IOM, por edhe nga institucione qendrore, si Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë, për sjelljen e profesionisteve të diasporës në Kosovë për mentorim, fellowship-e dhe takime B2B e B2C.

Megjithatë, nisma të tilla duhet të përkrahen në vazhdimësi, por edhe të iniciohen nga vetë institucionet në nivel lokal e qendror, si dhe nga subjektet politike. Që të ketë një ndikim më afatgjatë, duhet të ketë bashkëpunim të të gjithë akterëve për krijimin e mundësive për rrjetëzim, krijimin e fondeve të përbashkëta, organizimin e forumeve vjetore që lidhin politikën lokale me ekspertizën e diasporës, etj.

Partneritete të tilla do të ishin me përgjegjësi dhe përfitime të dyanshme: si për diasporën për të kontribuar në vendin e origjinës duke krijuar përvoja të reja për vete; por, edhe për nivelin lokal, i cili do të kishte një zinxhir përfitimesh duke filluar nga përmirësimi i pasqyrës së përgjithshme për hapësirën e grave në politikë dhe ekonomi, vetë gratë përfituese, e deri te qytetarët të cilët janë pjesë e kësaj hallke zinxhirore dhe përfituesit përfundimtarë (ose, në rastin më të keq, bartësit e pasojave kur politikat lokale nuk funksionojnë si duhet).

Fuqizimi i grave në politikë dhe ndërmarrësi nuk është çështje vetëm e barazisë gjinore. Është çështje e zhvillimit të qëndrueshëm, demokracisë funksionale dhe ekonomisë konkurruese. Dhe, në këtë rrugë, ndërlidhja strategjike e grave të diasporës me ato në nivel lokal nuk është luks - është fuqi. Nëse duam ta shohim diasporën përtej remitancave, duhet të ndërtojmë ura të qëndrueshme bashkëpunimi. Kapitali më i madh i saj nuk është financiar. Është përvoja. Dhe ajo nuk duhet të mbetet jashtë kufijve.

(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autores dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)