Grabitja në pompën e derivateve në Pejë, aktakuzë ndaj katër personave

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj katër të pandehurve: L.B., L.M., F.M., dhe Sh.Gj., për veprën penale “Grabitja”.
Përveç kësaj, i pandehuri L.M. akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njofitmit, ngjarja kishte ndodhur më 21 maj, ku të pandehurit, të maskuar dhe të armatosur, kanë përdorur një veturë të tipit Golf II për të arritur në vendin e ngjarjes.
“Kanë hyrë me forcë në marketin e pompës së derivateve dhe, nën kërcënimin e armës, i kanë marrë punëtorit shumën 905 euro. Pas grabitjes, janë larguar nga vendi dhe kanë ndarë paratë mes vete”, thuhet në njoftim.
Në aktakuzë, prokurori i çështjes ka kërkuar që të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Po ashtu, është propozuar konfiskimi i veturës së tipit Golf II, e përdorur gjatë grabitjes, si dhe shuma prej 575 euro, e gjetur në posedim të të pandehurve.
Ndër të tjera, është kërkuar edhe konfiskimi i armës së përdorur në kryerjen e veprës penale, si dhe kompensimi i dëmit të shkaktuar ndaj viktimës.


















































